Lidhje

DASH mbështet ambasadorin Baily në Maqedoni


Ambasadori Jess Baily

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shkup, z. Jess Baily. Zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, z. Mark Toner, i tha Zërit të Amerikës, se politika amerikane në Maqedoni ka për qëllim mbështetjen e integrimit euro-atlantik të vendit dhe reformat e nevojshme, sundimin e të drejtës dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës.

Zëdhënësi Toner u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë shtetin ligjor, proceset demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare të Maqedonisë.

Komentet e zëdhënësit pasojnë kritikat e vazhdueshme të partisë VMRO-DPMNE se ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, po ndërhyn në punët e brendshme të Maqedonisë dhe dyshimeve se ai mund të jetë duke vepruar pa mbështetjen e administratës së re amerikane.

Departamenti i Shtetit thekson gjithashtu se ambasadori Baily dhe ekipi i tij po punojnë në partneritet me autoritetet maqedonase, si dhe me shoqërinë civile, për të avancuar objektivat e politikave të Shteteve të Bashkuara.

Partia VMRO-DPMNE i ishte drejtuar para pak ditësh ambasadës amerikane me kërkesën për t’u sqaruar në lidhje me një shkresë që vinte nga ambasada në mbështetje të përpjekjeve për formimin e një koalicioni të gjerë qeveritar. VMRO-ja, e cila vlerëson se vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje të reja parlamentare, pasi sipas saj çdo variant tjetër do të cënonte vullnetin e shumicës së votuesve, kishte vënë në dyshim veprimtarinë e ambasadorit Baily, duke pritur ndërkohë që ai të zëvendësohej së shpejti nga administrata e re amerikane.

Ditët e fundit gjashtë ligjvënës amerikanë i kishin dërguar letër ambasadorit amerikan Baily, të cilit i kërkonin përgjigje për akuzat e ngritura ndaj tij për ndërhyrjet në politikat e brendshme të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG