Lidhje

Detroiti deklaron falimentimin


Një ndër qytetet më të mëdha amerikane, Detroit, ka paraqitur deklaratën e falimentimit. Përmes kësaj mase, ky qytet siguron mbrojtje nga kreditorët.

Një kompani menaxhere e kontraktuar nga shteti i Miçiganit ku ndodhet Detroiti, paraqiti dokumentacionin dje në një gjykatë federale.

Me këtë hap, Detroiti bëhet qyteti më i madh amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara që deklaron falimentimin. Guvernatori i Miçiganit, Rick Snyder duhet ta nënshkruajë vendimin.

Detroiti ballafaqohej me barrën një deficiti buxhetor prej mbi 300 milionë dollarësh dhe një borxh afat-gjatë prej afro 14 miliardë dollarësh.

Deklarimi i falimentimit vë në pikëpyetje pensionet e ardhshme si dhe sigurimet shëndetësore të punonjësve të sektorit qeveritar në Detroit. Rreth 10 mijë vetë punojnë për administratën bashkiake të Detroitit.

E ardhmja e qytetit pas deklarimit për falimentim

Nëpërmjet aplikimit për falimentim, qyteti i Detroitit të shtetit të Michigan-it në SHBA po fiton ca kohë për të rregulluar financat, por po heq dorë gjithashtu nga kontrolli financiar i qeverisjes, dhe po ia dorëzon pushtetin një gjykatësi federal.

Profesori juridik Peter Henning nga Universiteti Wayne State në Michigan tha se gjykatësi, dhe jo zyrtarët e zgjedhur të qytetit, do të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetit.

Detroit quhet qyteti i motorrëve, shtëpia e industrisë amerikanë të makinave. Por ndërkohë që amerikanët filluan të pëlqenin makinat e importuara nga vende si Japonia apo Gjermania gjatë 30 viteve të fundit, gjendja në Detroit filloi të përkeqësohej. Popullsia e qytetit ka rënë gjatë dekadave të fundit dhe shumë nga lagjet e tij u prishën dhe u braktisën.
Ndërsa influenca e qytetit si një qendër industriale ra gjatë gjysëm shekullit të fundit, bashkiakët e Detroitit keqmenaxhuan qeverinë lokale dhe një nga kryebashkiakët u burgos për shkak të një skandali seksi.
XS
SM
MD
LG