Lidhje

Trump dhe Deutsche Bank, a ka konflikt interesi?

  • Carolyn Pressuti

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka në plan të njoftojë muajin e ardhshëm se do ta kalojë kontrollin e kompanisë së tij imobiliare dhe bizneseve të tjera në duart e fëmijëve dhe drejtuesve ekzekutivë të këtyre firmave. Ai ka thënë se synon të eliminojë çdo konflikt të mundshëm interesi, në mënyrë që të përqëndrohet tek punët e qeverisjes së vendit.

Por kur zoti Trump të bëjë betimin më 20 janar, Departamenti i tij i Drejtësisë do të vazhdojë të ballafaqohet me problemet e borxhit masiv të Deutsche Bank, e cila gjithashtu është kreditorja më e madhe e bizneseve të zotit Trump. Ky rast dëshmon sa e vështirë do të jetë që presidenti i ardhshëm të izolojë plotësisht administratën e tij nga konflikti i interesit.

Për dekada me radhë Deutsche Bank si institucion financiar ka shërbyer si kredi-dhënëse e besueshme për operacionet e biznesit të zotit Trump në tregun e imobiliareve, duke i ofruar kredi edhe kur banka të mëdha në Shtetet e Bashkuara rezervoheshin si rezultat i praktikave të ndjekura në bizneset e Donald Trumpit. Kohët e fundit zoti Trump kërkoi kredi nga Deutsche Bank për të financuar renovimet në ndërtesën historike të Zyrave Postare në Uashington për ta shndërruar atë në një hotel luksoz nën emrin Trump.

Në dokumentat e fundit financiare që paraqiten në kuadër të aplikimit për kredi, zoti Trump rendit katër kredi të marra nga Deutsche Bank që nga viti 2012. Kreditë arrijnë shumën totale 364 milionë dollarë dhe përfshijnë 170 milionë dollarë të marra borxh për Hotelin Ndërkombëtar Trump, që ndodhet pak metra larg Shtëpisë së Bardhë. Kreditë e tjera kanë shërbyer për të financuar qendrën e pushimeve Doral në Florida dhe një grataçielë në Çikago.

Shqetësimet për konflikt interesi janë përqëndruar më së shumti në zotërimet masive të zotit Trump në mbarë globin. Situata e Deutsche Bank përfaqëson një tjetër dilemë: një partner i vjetër biznesi që ballafaqohet me kërcënimin e sanksioneve të rënda ligjore nga Departamenti i Drejtësisë.

Deutsche Bank, banka më e madhe gjermane, është në shenjestrën e Departamentit të Drejtësisë në dy çështje të ndryshme që pritet të vazhdojnë të analizohen pas ardhjes së zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në një prej tyre, Departamenti i Drejtësisë po negocion një ndëshkim me gjobë në shumën 14 miliardë dollarë, lidhur me shitjen nga ana e Deutsche Bank-ut të kredive të rrezikshme në tregun imobiliar gjatë krizës së vitit 2008.

Në çështjen tjetër, departamenti po analizon rolin e bankës në mundësimin e lëvizjes së miliarda dollarëve nga investitorët rusë nga Rusia duke përdorur transaksione të sajuara të njohura si “shkëmbime pasqyrë”. Megjithëse Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të prononcohej, një rregullator financiar britanik konfirmoi se kjo çështje është nën investigim në Britani, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara. Hetimi penal i Departamentit të Drejtësisë u bë publik fillimisht në gusht nga rrjeti mediatik Bloomberg.

Gjatë fushatës presidenciale, kur po ndizej debati për konfliktin e interesit nga bizneset e kandidatit republikan, zoti Trump shiti disa aksione, siç njoftoi javën e kaluar zëdhënësi i ekipit të tij të tranzicionit, Jason Miller. Është e paqartë se si do ta shkëpusë veten zoti Trump nga aktivitetet e biznesit që përfshijnë kreditorë dhe partnerë të tjerë në biznes. Në një intervistë dhënë ditët e fundit rrjetit televiziv Fox News, Donald Trump tha se nuk ka në plan të shesë bizneset e tij.

Këtë javë, zoti Trump tha se po bënte veprimet ligjore për t’ia dorëzuar organizatën djemve të tij, Donald Jr dhe Eric.

Zyrtarë të ekipit të tranzicionit për zotin Trump nuk iu përgjigjën kërkesës së Zërit të Amerikës për reagime në lidhje me Deutsche Bank, apo pyetjejve lidhur me interesat e biznesit në Azerbajxhan, Filipine dhe vende të tjera.

Richard Painter, juristi që kryesonte ekipin e etikës për ish-presidentin George W. Bush, tha se borxhi që i ka zoti Trump bankës Deutsche Bank, e cila është nën hetime nga autoritetet federale amerikane paraqet dy konflikte themelore. Së pari është “tepër e vështirë” për zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë të negociojë ndëshkime “në mënyrë objektive” – tha zoti Painter. Së dyti, ky hetim e vë presidentin e ardhshëm Trump në pozitë të vështirë si autoriteti më i lartë i zbatimit të ligjit dhe rregulloreve që janë hartuar për të vendosur transparencën dhe funksionalitetin e rregullt në sektorin financiar.

“Ngrihet pyetja nëse është e pranueshme që presidenti të jetë në borxh ndaj bankave të mëdha, ndërkohë që vartësit e tij analizojnë e hartojnë rregulloret për sektorin bankar si dhe masat që do të merren kundër Deutsche Bank”, - tha zoti Painter.

Ligjet federale mbi konfliktin e interesit nuk prekin presidentin, gjë që e ka përsëritur disa herë zoti Trump, por ky fakt nuk do të ndalë ngritjen e pyetjeve dhe dilemat për motivet e tij, për sa kohë që bizneset e zotit Trump vazhdojnë të kenë borxhe në Deutsche Bank, thotë Hana Callaghan, drejtoreshë e programit për etikën në qeveri në Universitetin Santa Clara.

“Nëse pas hetimeve në këtë çështje merret një vendim kundër bankës, gjë që i kushton financiarisht Deutsche Bank-ut, ky vendim mund të ndikojë edhe tek bizneset e zotit Trump. Por nëse nën Prokurorin e Përgjithshëm që emëron zoti Trump merret një vendim në favor të bankës, mund të interpretohet sikur prokurori i përgjithshëm po e favorizon bankën për ta patur mirë punën me bosin, dhe nuk po përmbush detyrimet e tij ndaj popullit amerikan,” thotë zonja Callaghan.

Por jo të gjithë kanë këtë mendim. Zoti Trump mund të eliminojë konfliktin e interesit duke u distancuar nga çështja, thotë Jan Baran, ish zyrtar për çështje juridike në Komitetin Kombëtar Republikan dhe ekspert për etikën në firmën e avokatisë Wiley Rein në Uashington. “Do të ketë konflikt interesi vetëm nëse zoti Trump ndërhyn në këto hetime, ndërkohë që është president i Shteteve të Bashkuara, por nuk ka shenja apo gjasa që ai ta bëjë një gjë të tillë,” thotë zoti Baran.

Hetimet mbi Deutsche Bank filluan vite më parë. Padia në gjykatën civile është një ndër çështjet e reja që ka hapur Departamenti i Drejtësisë kundër disa institucioneve financiare që akuzohen se kanë mashtruar investitorët duke blerë kredi të rrezikshme në sektorin imobiliar gjatë periudhës spekulative në këtë sektor para krizës së 2008.

Deutsche Bank ka thënë se nuk ka në plan ta mbyllë çështjen duke paguar një gjobë prej 14 miliardë dollarësh që i ka propozuar Departamenti i Drejtësisë, duke thënë se çështje të ngjashme janë mbyllur me një shumë më të vogël se propozimi fillestar. Një zëdhënëse e bankës nuk pranoi ta diskutonte çështjen me Zërin e Amerikës.

Hetimet mbi “shkëmbimet pasqyrë” përqëndrohen në transaksione të dyshimta me vlerë deri në 10 miliardë dollarë të kryera nga dega e kësaj banke në Rusi në emër të klientëve rusë gjatë një periudhe tre vjeçare deri në 2015.

Ndëshkimi me gjobë prej 14 miliardë dollarësh do të ishte një goditje e rëndë për Deutsche Bank, e cila ka shpenzuar deri tani mbi 10 miliardë dollarë në formë gjobash dhe dëmshpërblimesh nga çështje të tjera ligjore që nga 2008, siç njofton grupi mediatik Bloomberg.

Zoti Trump rendit në dokumentet e tij financiare nëntë banka të tjera nga të cilat ka marrë kredi. Por gazeta The Wall Street Journal shkruante në mars se Deutsche Bank ka qenë institucioni kryesor ose një ndër institucionet që i kanë dhënë 2.5 miliardë dollarë kredi kompanive të zotit Trump dhe bizneseve që kanë lidhje me të që nga 1999.

Muajin e kaluar, Senatori Richard Blumenthal, demokrat nga shteti Konektikat dhe anëtar i Komisionit të Senatit për Drejtësinë, i kërkoi Prokurores së Përgjithshme Loretta Lynch të emëronte një prokuror special për çështjet gjyqësore kundër Deutsche Bank. Departamenti i Drejtësisë nuk e pranoi këtë sugjerim me arsyetimin se agjencia “ka besim të plotë në specialistët e zbatimit të ligjit dhe juristët e departamentit” për ta zgjidhur këtë çështje me integritet.

XS
SM
MD
LG