Lidhje

Dhuna në filma dhe në realitet


Njoftimet që tregojnë se personi i dyshuar si autor i vrasjeve të javës së kaluar në Kolorado mund të ketë qenë admirues fanatik i filmave me Batmanin, kanë ngritur shqetësime të reja lidhur me lidhjet e mundshme mes filmave dhe dhunës. Disa ekspertë thonë se edhe pse njerëzit mund të ndikohen nga filmat, zakonisht ata nuk janë shkaku i veprimeve të dhunshme.

Debate mbi mundësinë se filmat e dhunshëm nxisin akte të dhunshme ka patur shumë kohë para se James Holmes të hapte zjarr, siç dyshohet, në një kinema plot me njerëz në Kolorado.

Dr. Jay Reeve, president i një qendre shëndetësore mendore në Florida, thotë se do të ishte gabim nëse do të fajësoheshin vetëm filmat. Zoti Reeve, i cili ka studiuar efektet e filmave në sjelljen e njerëzve, thotë se personat e gatshëm për të ushtruar dhunë tërhiqen prej filmave të dhunshëm.

"Njerëzit shkojnë në kinema së bashku me dobësitë e tyre, me një grup të caktuar karakteristikash dhe në një farë mënyre, filmi është vetëm një mjet tjetër për të shprehur diçka, që mendoj se do ta shprehnin gjithsesi."

Hetuesit thanë se një i ri, i dënuar për vrasjen e 10 njerëzve në vitin 2002, në Uashington, me pushkë snajper, ishte një admirues i madh i filmit fantastiko-shkencor, The Matrix.

John Hinckley, njeriu i dënuar për tentativën e vrasjes ndaj Presidentit amerikan Ronald Regan, në vitin 1981, mendohet se ka përdorur për planin e tij subjektin e filmit Taxi Driver.

Gjithashtu, pas vrasjeve në masë të vitit 1999 në shkollën e mesme Columbine, në Kolorado, hetuesit thanë se një nga dy adoleshentët autorë të ngjarjes kishte një ditar që përqëndrohej mjaft tek filmi Natural Born Killers. Familjet e viktimave të atij krimi, ngritën pyetje nëse të dy personat e armatosur ishin ndikuar nga filmi The Basketball Diaries, një tjetër film me skena dhune.

Profesori i psikologjisë i Universitetit të Miçiganit, Rowell Huesmann, thotë se njerëzit mund të ndikohen nga filmat.

"Filmat e dhunshëm mund të rrisin rrezikun që një person të sillet në mënyrë të dhunshme."

Ai thotë se një gamë e gjerë faktorësh të tjerë, si shëndeti mendor dhe dhuna në familje, duhet të merren në konsideratë.

"Do të thoja se filmat e dhunshëm, programet televizive me përmbajtje dhune apo lojërat kompjuterike të dhunshme shkaktojnë një rritje të rrezikut të dhunës, por do të ishte gabim të mendonim se këta faktorë do të ishin të mjaftueshëm për të shkaktuar akte të dhunshme. Që kjo të ndodhë, ata zakonisht duhet të kombinohen me faktorë të tjerë psikologjikë tek një person."

Profesori i kriminologjisë i Universitetit Northeastern në Boston, James Fox, thotë se shumica e njerëzve nuk e kanë të vështirë të ndajnë fantazinë nga realiteti.

“Ka miliona njerëz të cilët janë të tërhequr, shpesh edhe tepër, prej argëtimit me përmbajtje dhune, por natyrisht kjo nuk do të thotë që ata do të shkojnë të kryejnë krime.”

Ai thotë se për disa kriminelë, argëtimi i dhunshëm mund të jetë një pasqyrë e personalitetit të tyre, por jo shkaku i veprimeve që ata kryejnë.
XS
SM
MD
LG