Lidhje

Diplomatët donatorë amerikanë


Administrata Obama është kritikuar për emërimin e një numri të pazakontë donatorësh si ambasadorë. Këto kritika arritën kulmin këtë javë pasi Senati konfirmoi regjizoren e një telenovele, me njohuri të pakta për Hungarinë, të shërbejë si ambasadore në atë vend. Nuk është e pazakontë për presidentët të emërojnë donatorë të fushatave të tyre në poste ambasadorësh, por skenat si kjo në seancën dëgjimore këtë javë në kongres për ambasadorët e emëruar në Islandë dhe Norvegji kanë marr kritika më të shumta.

“Zoti Barber, keni qënë besoj në Islandë?,” pyet Senatori McCain.

“Nuk kam patur privilegjin, po pres të shkoj…” shprehet Robert Barber, kandidat për ambasador në Islandë.

“Zoti Tsunis, a keni qënë në Norvegji?”

“Jo.”

Ata mund të mos kenë karrierë diplomatike, por kanë qënë kontribues në fushatat e për grumbullimin e fondeve.

Kostoja e një posti ambasadori? 500 mijë dollarë ose më shumë në donacione është mesatarja që disa të emëruar kanë dhuruar apo grumbulluar për partinë e presidentit, thotë Sheila Krumholz e Qendrës për Politika të Përgjegjëshme.

“Fatkeqësisht realiteti është se disa nga këta njerëz nuk janë të kualifikuar dhe ata po dalin në krye të rradhës. Në fakt, ata po skualifikojnë kandidatë të aftë për shkak të parave që kanë dhënë për fushata dhe partitë.”

Robert Silverman, president i Shoqatës Amerikane për Shërbimet e Huaja, beson se praktika vë në rrezik politikën e jashtme amerikane, kur bëhet fjalë për vende të rëndësishme.

“Është një gjë të dërgosh një person jo-karriere në një vend ishull të vogël, si Palau, me të cilin zakonisht kemi marrëdhënie të mira, ku nuk ka çështje të vështira. Është një gjë tjetër të dërgosh një njëri të tillë, që nuk ka punuar asnjëherë në diplomaci në vende si Hungaria, dhe për këtë jemi të shqetësuar.”

Kandidati i zotit Obama për ambassador në Hungari? Colleen Bell, producentja e telenovelës “The Bold and the Beautiful.” Ajo u konfirmua këtë javë megjithë kundërshtimet e republikanëve, përfshi senatorin John McCain.

“Nuk jam kundër të emëruarve politikë – e kuptoj si luhet loja, por ja ku jemi. Një vend që është në prag të dhënies së sovranitetit të tij një diktatori neo-fashist, që po afrohet në një shtrat me Vladimir Putinin, dhe ne dërgojmë për ambasadore producenten e telenovelas 'The Bold and the Beautiful'?

Zëdhënësit të zotit Obama, Josh Earnest, iu kërkua të komentonte nëse donacionet e zonjës Bell janë arsyeja e emërimit të saj për postin.

“Kemi besim tek ajo – Ambasadorja Bell ka besimin e presidentit se do të bëjë një punë të shkëlqyer në përfaqësimin e Shteteve të Bashkuara dhe mbajtjen e marrëdhënieve të rëndësishme që Shtetet e Bashkuara kanë me qeverinë dhe popullin hungarez.”

Ndërsa Presidenti Obama nuk është i pari që emëron përkrahës politikë si në poste të larta diplomatike, analistët thonë se ai e ka bërë këtë më shpesh se të tjerët: 40 përqind e ambasadorëve janë të emëruar politikë krahasuar me 30 përqind në administratat e presidentëve Bush dhe Klinton.

XS
SM
MD
LG