Lidhje

Diplomatë të huaj komentojnë për twittet e Presidentit Trump


Të enjten në fushën e tij të golfit në New Jersey, Presidenti Donald Trump u tregoi gazetarëve, atë që është kthyer në një nga shenjat dalluese të presidencës së tij.

"Ndoshta nuk isha i ashpër sa duhet" tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth komenteve të tij, gjithnjë e më të ashpra, ndaj Koresë së Veriut, pas kërcënimit të Phenianit për të nisur raketa në drejtim të Guamit, apo aleatëve të tjerë të SHBA-së.

Të premten, presidenti iu rikthye së njëjtës çështje me një mesazh në Twitter.

"Zgjidhjet ushtarake janë plotësisht gati nëse regjimi i Kim Jong Un-it bën veprime të pamatura", shkroi ai.

Brenda disa orësh, mesazhi i presidentit u ripostua më shumë se 22.500 herë, duke marrë më shumë se 57.000 pëlqime.

Fjalët e zoti Trump, si ato të thëna publikisht, apo në mediat sociale, krijuan një model të asaj që aleatët dhe partnerët e amerikanëve e përshkruajnë si një realitet i ri shqetësues, që një udhëheqës botëror në mënyrë të vazhdueshmë e rrit retorikën, ndërsa i flet bazës së tij politike, madje edhe në skenën botërore.

Në rastin më të mirë, sipas disa zyrtarëve, retorika e zotit Trump dhe tweetet e tij për të tërhequr vëmendjen, duhet të injorohen. Në rastin më të keq, thonë ata, mund të sjellin ndërlikime.

Zyrtarët e disa vendeve që konsiderohen si aleatë të rëndësishëm të SHBA-së, ose që kanë krijuar marrëdhënie të rëndësishme me SHBA-në, ranë dakord të flasin me “Zërin e Amerikës”, por në kushte anonimiteti.

"Gjithmonë kemi gjëra të rëndësishme për të diskutuar me aleatët tanë amerikanë, por ka një problem të madh që askush nuk do të flasë”, - tha një diplomat perëndimor, lidhur me twittet e presidentit Trump.

"Twitet janë më shumë për bazën e tij të votuesve" - tha një tjetër diplomat perëndimor nga një vend tjetër, duke vënë në dukje se megjithatë, ato nuk mund të injorohen. "Ne i ndjekim ato" - tha ai.

Zyrtarët thanë se ata dhe kolegët e tyre bëjnë çmos që të injorojnë të ashtuquajturat “stuhi e twitteve” të zotit Trump dhe i kanë këshilluar qeveritë e tyre që të bëjnë të njëjtën gjë.

Megjithatë, ata pranojnë se natyra e retorikës së zotit Trump për të tërhequr vëmendje, qoftë në mediat sociale, qoftë gjatë fjalimeve apo intervistave, e bën të vështirë për bashkatdhetarët e tyre që t’i injorojnë.

Zëri i Amerikës kontaktoi me Shtëpinë e Bardhë, duke pyetur për shqetësimet e ngritura nga zyrtarët e huaj dhe në se ndonjë vend i ka ngritur shqetësime të kësaj natyre direkt tek administrata. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se përgjigjja do t’i dërgohej Zërit të Amerikës përmes postës elektronike, por deri momentin e botimit të këtij artikulli, nuk është marrë asnjë përgjigje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG