Lidhje

Columbia Pike, pasqyrë e larmisë etnike


Gjatë fushatës aktuale presidenciale duket se janë acaruar ndjenjat kundër emigrantëve. Por, pranë kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, Uashington, në një zonë ku numërohen mbi 130 komunitete të ndryshme etnike, larmia etnike është një fakt që vlerësohet dhe festohet. Një grup fotografësh dokumentuan jetën e banorëve të këtyre komuniteteve që bashkëjetojnë në një mikrokozmos të ngjashëm me larminë globale.

Në pamje të parë, kjo rrugë me gjatësi 10 kilometra nuk dallon shumë nga rrugë të tjera në qytet. Por, kur sheh me kujdes, vëren biznese të ndryshme etnike që punojnë përkrah njëri-tjetrit në rrugën Columbia Pike në qytezën Arlington të Virxhinias.

Fotografi Lloyd Wolf ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në këtë lagje që u ndërtua në 1810 si korridori kryesor që lidh Uashingtonin me Virxhinian. Që nga vitet 1970 kjo zonë ka tërhequr emigrantë nga çdo cep i botës.

“Rruga Columbia Pike është bërë shumë interesante me qindra grupe etnike, njerëz nga vende të ndryshme që jetojnë në harmoni relative. Menduam se ia vlente ta dokumentonim këtë realitet,” thotë ai.

Së bashku me katër fotografë të tjerë, Lloyd Wolf i është përkushtuar prej dhjetë vitesh projektit për të fotografuar jetët e banorëve të kësaj zone, si Claudia Camacho. Ajo është pronare e një restoranti bolivian dhe ka jetuar në zonë prej 23 vjetësh.

“Më pëlqen shumë. E kam të vështirë të largohem nga kjo zonë, ku ka njerëz nga vende të ndryshme. Këtu mëson për kultura të ndryshme; është një eksperiencë shumë e mirë,” thotë zonja Camacho.

Mohammed Mohammed erdhi këtu 25 vjet më parë dhe hapi një dyqan që shet produkte etiopiane.

Kam pasur sukses me biznesin. Ka banorë të bardhë, afrikano-amerikanë, hispanikë, aziatikë, arabë dhe afrikanë. Njihemi nga afër me njeri-tjetrin, diskutojmë traditat, gjuhën. Jemi shumë të kënaqur,” thotë ai.

Megjithëse kjo ka qenë një ndër lagjet më të larmishme etnike dhe kulturore në vend, nuk mund të konsiderohet si zonë etnike, shpjegon fotografi Wolf:

“Të gjithë këtu janë pak a shumë të përzier. Nuk ka ndonjë pjesë të lagjes që është vetëm me vietnamezë, apo arabë, ose somalezë. Të gjithë jetojnë e punojnë pranë njëri-tjetrit. Dhe shohim se kjo përzierje funksionon më së miri”.

Festivalet e shpeshta etnike në zonë dëshmojnë larminë kulturore:

“Bangaldeshasit festojnë festivalin e tyre. Kemi 30 trupa të ndryshme të valles boliviane që vijnë këtu për festivalin e përvitshëm në zonë,” thotë fotografi.

Lloyd Wolf dhe bashkëpunëtorët e tij kanë tani një koleksion të madh fotografish të botuara në një album me titull “Living Diversity-The Columbia Pike Documentary Project” – Projekti i Dokumentimit të Jetës në Larmi Etnike, në zonën Columbia Pike.

"Mendoj se kemi diçka për t’i treguar botës. E them gjithmonë: kjo është fytyra e paqes. Njerëz që shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Kështu realizohet,” thotë fotografi Lloyd.

XS
SM
MD
LG