Lidhje

Kremlini: Nuk kemi dijeni për takimin e Trump Jr. me avokaten ruse


Kremlini tha se nuk është në dijeni të një takimi në vitin 2016 midis stafit të lartë të presidentit Donald Trump dhe një avokateje ruse, e cila premtoi t'i jepte stafit informacione që mund ta dëmtonin fushatën e rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se nuk e njeh avokaten Natalia Veselnitskaya dhe "nuk mund të ndjekë lëvizjet" e çdo avokati rus apo kontaktet e tyre jashtë vendit.

Donald Trump Jr., djali i madh i Presidentit Trump, tha se është takuar me një avokate të lidhur me Kremlinin, pak pasi i ati kishte siguruar emërimin e Partisë Republikane, duke shpresuar se do të merrte informacion të dobishëm për fushatën.

Donald Trump Jr. konfirmoi në një deklaratë se kishte rënë dakord për takimin në muajin qershor të vitit 2016 me avokaten ruse të lidhur me Kremlinin, pasi ishte njoftuar se ajo dispononte informacion që mund të dëmtonte kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Të pranishëm në takim ishin edhe Jared Kushner, dhëndrri i Presidentit Trump dhe tashmë këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe Paul Manafort, në atë kohë drejtor i fushatës elektorale të zotit Trump.

I biri i Presidentit Trump tha se i ati nuk kishte qenë në dijeni të këtij takimi.

Gazeta “New York Times” njofton se kur ishte pyetur fillimisht për takimin me Veselnitskayan, Trump Jr. nuk e kishte përmendur informacionin politik që mund të përdorej kundër kandidates Clinton. Por, të dielën ai e ndryshoi deklaratën e tij duke konfirmuar se avokatja ruse do ta ofronte informacionin gjatë atij takimi.

Trump Jr. i tha gazetës se u bë e qartë menjëherë gjatë takimit se zonja Veselnitskaya “nuk dispononte asnjë informacion të vlefshëm”.

Mediat amerikane njoftojnë se zonja Veselnitskaya njihet për përpjekjet e saj për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura pas abuzimeve me të drejtat e njeriut.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller dhe disa komisione të Kongresit po zhvillojnë hetime paralele për të parë nëse pati bashkëveprim ndërmjet anëtarëve të ekipit elektoral Trump dhe Kremlinit, në veçanti rreth përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë nëpërmjet hakerëve për të influencuar zgjedhjet presidenciale amerikane.

Presidenti Trump ka mohuar çdo lidhje me Rusinë dhe Moska ka deklaruar se nuk ka qenë autore e këtyre sulmeve kibernetike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG