Lidhje

McMaster reagon ndaj njoftimeve ndaj çështjes Kushner


I pyetur rreth njoftimeve se Jared Kushner, dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara ishte përpjekur të hapte një kanal të fshehtë komunikimi me Rusinë para se presidenti të merrte detyrën, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster tha të shtunën se lëvizje të tilla janë të zakonshme.

Zoti McMaster ndodhej në Taormina të Italisë, për samitin e grupit G-7, dhe nuk foli në mënyrë specifike për Jared Kushner-in, i cili është gjithashtu një këshilltar i lartë në administratën Trump. I pyetur nëse do ta shqetësonte fakti, nëse dikush në administratë do të përpiqej të hapte një kanal komunikimi të fshehtë me ambasadën ruse ose Kremlinin, zoti McMaster u përgjigj “jo”.

“Ne kemi komunikime informale me disa vende...kjo të lejon që të komunikosh në mënyrë të kujdesshme”, tha zoti McMaster.

Komentet e tij u bënë pas njoftimeve të gazetës Washington Post se Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i lartë i presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, bisedoi me ambasadorin e Rusisë në Uashington për mundësinë e krijimit të një kanali sekret komunikimi ndërmjet ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe Kremlinit.

Gazeta citoi disa zyrtarë amerikanë të premten, të kenë thënë se masa ishte menduar të merrej për t’i mbrojtur diskutimet e tyre para inaugurimit nga kontrollet.

Burimet e Washington Post-it thanë se ambasadori Sergei Kislyak njoftoi eprorët e tij në Moskë se Kushneri e bëri propozimin gjatë një takimi në fillim të dhjetorit në Kullën Trump në qytetin e Nju Jorkut. Burimet thanë se informacioni u zbulua nëpërmjet përgjimeve të komunikimeve ruse që u shqyrtuan nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara.

Fokusi i FBI-së tek Kushneri nuk do të thotë se ai dyshohet të ketë kryer një krim, apo po konsiderohet si subjekt i një hetimi më të gjerë të byrosë mbi Rusinë.

Kushner është zyrtari i vetëm, që dihet, nga Shtëpia e Bardhë, i konsideruar si një person kyç në hetime, sipas gazetës.

FBI-ja, disa komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm janë duke kryer hetime mbi dy pista, njera mbi dyshimet se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe tjetra se këshilltarë të presidentit Trump mund të kenë pasur lidhje me zyrtarë rusë, të cilët synonin të ndikonin mbi zgjedhjet.

Çështja e hetimeve të lidhjeve me Rusinë ka marrë një vëmendje të shtuar dhe e ka vënë në qendër të sulmeve administratën e presidentit Trump, që kur ai shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey më 10 maj. Moska vazhdimisht i ka mohuar akuzat dhe presidenti Trump ka hedhur poshtë mundësinë për lidhje të fshehta të ndihmësve të tij me Rusinë. Zyrtarë në dijeni të zhvillimeve i thanë rrjetit televiziv “NBC News” se interesi i autoriteteve ndaj zotit Kushner nuk nënkupton se ai mund të ketë kryer ndonjë krim ose se prokurorët do të ngrenë akuza.

Ende nuk dihet në se FBI-ja i ka kërkuar zotit Kushner të dorëzojë ndonjë dokument.

Një prej avokatëve të zotit Kushner, Jamie Gorelick, përmes një deklarate tha se klienti i saj do të bashkëpunojë me autoritetet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG