Lidhje

“Ëndërrimtarët” zotohen të mbrojnë “DACA”-n


Presidenti Donald Trump njoftoi se do të rishqyrtojë vendimin për t'i dhënë fund një programi që mbron prej deportimit rreth 800 mijë emigrantë pa dokumente, të ardhur në Amerikë të mitur, nëse Kongresi, siç dhe u shpreh, nuk vepron mbi këtë çështje brenda 6 muajsh. Ky reagim i presidentit erdhi pasi ai vetë miratoi vendimin për t'i dhënë fund atij që njihet si programi “DACA”. Njoftimin e bëri Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions. Vendimi ngjalli kundërshti kudo në SHBA, nga përfitues dhe mbrojtës të programit. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Ramon Taylor bisedoi me disa prej përfituesve të programit, që thanë se do të vazhdojnë përpjekjet për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa të munden.

"Nuk jam e sigurt se si do të shkoj në shtëpi sot dhe t'i shpjegoj nënës sime se ndihma që siguroja, nuk është më..." thotë Flor Reyes, përfituese e programit “DACA”.

Njëzetvjeçarja Reyes ka ndihmuar nënën, të rrisë e vetme pesë vëllezërit dhe motrat e saj më të vogla, të gjithë të lindur këtu e për këtë arsye shtetas amerikanë. Por papritmas e ardhmja e saj është e pasigurtë.

"Ne dolëm prej errësirës për t'u përballur me një rrezik edhe më të madh".

Situata e saj është e ngjashme me atë të 800 mijë të tjerëve. Ashtu si Flor Reyes, të gjithë u lindën në një vend tjetër, por u rritën në Shtetet e Bashkuara. Në shumicën e rasteve, ata nuk njohin ndonjë vend tjetër si shtëpi të tyren. Deri dje, kur qeveria njoftoi mbylljen e programit të njohur si “DACA”, ata mund të mbështeteshin në mundësinë që u ishte dhënë për rinovimin e lejeve të punës dhe mbrojtjen nga deportimi.

"Ka diçka që unë të paktën mund ta ndjej pothuajse fizikisht, tension në rritje", thotë KEVIN DUARTE përfitues i programit “DACA”

Tension që u kthye në mosbindje civile në masë përpara kullës Trump në Nju Jork si përgjigje ndaj vendimit të administratës për t'i dhënë fund programit “DACA”, për arsye ligjore ose ndoshta të ligjshme.

Kushtetuta përcakton rolin e Kongresit në harimin e ligjeve. Detyra e ekzekutivit është zbatimi i ligjit.

"Presidenti Trump nuk mund t'u jepte këtyre njerëzve një zgjidhje të përhershme. Asnjë president nuk mundet. Është përtej çdo autoriteti kushtetues të presidentit. Presidenti Obama e dinte këtë, po ashtu edhe Presidenti Trump. Pra, i takon Kongresit t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje", thotë DAVE RAY i Federatës për reformën e emigrimit në Amerikë.

Pikë me të cilën nuk bien dakord aktivistët si dhe mbrojtësit kryesorë të programit, të cilët argumentojnë se vendimi është një akt hipokrizie.

Analiza ligjore mbi ligjshmërinë e DACA-s nuk ka ndryshuar aspak. Është e njëjta analizë ligjore që ekzistonte prej fillimit të administratës Trump, kur vetë Presidenti Trump tha se “Ëndërruesit” mund të ishin të qetë. Asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin e analizës ligjore, e vetmja gjë që ka ndryshuar është politika", thotë STEVEN CHOI, drejtor ekzekutiv i koalicionit të emigracionit në Nju Jork.

Programi është planifikuar të përfundojë tërësisht në muajin mars të vitit 2018, por asgjë nuk është e sigurt, me përjashtim të rastit nëse Kongresi i ndarë politikisht miraton një ligj përpara përfundimit të këtij afati.

"Nuk shpresoj tek kjo qeveri apo edhe tek ky vend. Shpresa ime janë këta njerëz që shihni sot këtu. Këtu do të gjejë forcë lëvizja, këta janë njerëzit që do të na çojnë drej gjeneratës së ardhshme të luftëtarëve", thotë KEVIN DUARTE përfitues i programit “DACA”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG