Lidhje

Drejtësia, opozita rikthehet në tryezën e reformës


Vendimi pasdite vonë pas ndërmjetësimit të ambasadorit amerikan. Kryeministri Rama takon presidentin Nishani

Në Shqipëri ekspertët e opozitës ju rikthyen pasdite, diskutimeve te ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në Drejtësi, pas ndërhyrjes së ambasadorit amerikan Donald Lu. Gjatë ditës shumica dhe opozita shkëmbyen replika në distancë lidhur me procesin e reformës. Kryetari i parlamentit Ilir Meta, ftoi ekspertët e opozitës t’i bashkohen punës rreth rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Nga selia e partisë së tij, kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi shumicën se ka punuar me dokumenta paralele duke kembëngulur në respektimin e plotë të rekomandimeve të Venecias.

Reforma ne drejtesi
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Dita e sotme ka qenë e ngarkuar me lëvizje të shumta që lidhen me reformën në drejtësi. Ekspertë të huaj dhe vendas të angazhar nga komisioni i posacëm parlamentar, thuajse kanë mbyllur punën për rishikimin e ndryshimeve kushtetuese në bazë të rekomandimeve të Venecias. Aktiviteti i tyre vijoi tre ditët e fundit pa praninë e ekspertëve të opozitës të cilët këmbëngulën në gjetjen e një zgjidhje për cështjen e emërimeve të anëtarëve dhe drjetuesve të institucioneve të Drejtësisë nga parlamenti me 3/5 e votave. Sipas opozitës këto emërime duhen bërë me 2/3 e votave, duke e vënë këtë si kusht për pjesmarrjen e saj të mëtejshme.

Përfaqësuesë të lartë të shumicës, përfshirë dy drejtuesit Edi Rama dhe Ilir Meta u takuan sot sërish për të diskutuar eskluzivisht për cështjen e reformës. Në përfundim të takimit, me në krah kryetarin e Komisionit të posacëm parlamentar të Reformës Fatmir Xhafaj, zoti Meta i bëri thirrje ekspertëve të opozitës që të mosvetë përjashtoheshin nga procesi: “Na vjen keq dhe prandaj gjej rastin edhe një herë t’u kërkoj që të rikthehen në tryezën ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, të mos vetpërjashtohen për një çështje apo për disa çështje të caktuara. Ta ruajmë këtë frymë bashkëpunimi nën rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në fund fare, patjetër që do të shkohet drejt Komisionit Parlamentar të Posaçëm për këtë reformë, ku natyrisht të gjithë do të kenë mundësinë dhe të drejtën të shprehin opinionet e tyre”

Por nga selia e partisë së tij, kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi shumicën se po punon me dokumente paralele: “Ka patur vetëm retorikë dhe asnjë veprim pozitiv në këtë drejtim, përkundrazi ka patur veprime që bien ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe zotimin publik të mazhorancës për të punuar së bashku me opozitën për një draft të ri. E kam fjalën për draftin parafabrikat të 29 dhjetorit, një përpjekje tinzare, hileqare e Edi Ramës që në vend të përqafimit të rekomandimeve të Venecias, kërkon të bëjë “ Bypass”-in e rekomandimeve të Venecias”.

Edhe këtë herë ka qenë ndikimi i përfaqësuesve ndërkombëtar, i cili pasdite coi në një zbutje të toneve mes palëve, të cilat do t’i rikthehen rishikimit së bashku të rekomandimeve të Venecias. Kjo është arritur pas një bisede që ekspertët e palëve kanë patur me ambasadorin amerikan Donald Lu. Ky i fundit pati dje një takim gati tre orësh me kryetarin e parlamentit Meta, ndërsa sot takoi vecmas dhe zotin Xhafaj. Përfaqësuesi demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se “është rënë dakort për të diskutuar projektin vetëm mbi opinionin e Komisionit të Venecias dhe që në kushte barazie të vazhdohet puna e përbashkët mbi rekomandimet, të cilat mund të jenë të tilla që të ofrojnë disa variante të përbashkëta, opinione të cilat duhet të respektojnë 100 përqind rekomandimet e komisionit”, shpjegoi pasdite vonë duke dalë nga zyrat e parlamentit zoti Alibeaj. Koha në dispozicion mes palëve nuk është e madhe pasi në fillim të javës së ardhshme dokumenti i rishikuar duhet t’i dërgohet Komisionit të Venecias.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama takoi gjatë ditës dhe presidentin Bujar Nishani. Edhe këtu tema e diskutimit ka qenë pikërisht reforma e Drejtësisë, por dhe propozimi i papritur i kreut të Shtetit shprehur mbrëmë, për një tryezë të partive politike për procesin e reformës. Një propozim të cilin shumica e kundërshton hapur, përsa kohë po ecet sipas saj, me aspektet teknike të reformës.

XS
SM
MD
LG