Lidhje

Drejtësia suedeze në ndjekje të Assange


Prokurorët suedezë po përpiqen të marrin në pyetje themeluesin e WikiLeaks Julian Assange në Londër, lidhur me akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale. Kjo mund ta zhbllokojë hetimin që ka nisur prej rreth 5 vjetësh.

Prokurorët fillimisht kishin refuzuar ta merrnin atë në pyetje në Londër, duke këmbëngulur që ai të shkonte në Suedi, për t’u përballur me akuzat e ngritura për një rast të vitit 2010.

Në deklaratë thuhet se arsyeja e vetme që prokurori vendosi ta marrë në pyetje Julian Assange-in në Londër, është se afati për gjykim për një numër krimesh për të cilat ai dyshohet skadon në gusht.

Avokati i zotit Assange e mirëpriti këtë vendim, duke thënë se këtë gjë e kishin kërkuar që prej 4 vjetësh.

Julian Assange kërkoi strehim në ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012, kur gjykatat britanike thanë se ai mund të ekstradohej në Suedi për t’u përballur me akuzat. Ai i ka mohuar akuzat, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht.

Ai druhet se Suedia mund ta dorëzojë atë tek autoritetet amerikane, ku ai mund të përballet me drejtësinë, nën akuzat për bërjen publike të një numri të madh dokumentsh sekrete, në atë që është cilësuar si rasti më flagrant i kësaj natyre në historinë e SHBA.

XS
SM
MD
LG