Lidhje

Turistët në Hotelin e Borës sodisin Dritat Veriore


"Hoteli i Borës"

Soditja e Aurora Borealis është bërë një biznes aq i madh në rajonin Lapland në Finlandë, aq sa një hotel ka punësuar një ekip vrojtuesish të dritave polare. Hoteli Arktik i Borës në vend të dhomave ka iglu, dhoma të stilit eskimez me tavan prej xhami dhe ofron “Zilen e Agimit” që zgjon vizitorët nëse ndodh spektakli i dritave natyrore.

Hoteli ndodhet 25 kilometra në veriperëndim të Rovaniemit, dhe soditja e Dritave Polare është një aktivitet që merret seriozisht.

Larg nga dritat artificiale të qytetit, ky vend ka iglu me tavan të qelqtë pranë Liqenit Lehtojarvi. Brenda tyre, krevatet ofrojnë një pamje të patrazuar të qiellit të natës.

Hoteli e ndërtoi dhomën e parë prej qelqi në vitin 2013 dhe tani ka 30 dhoma gjithsej.

"Aurora Borealis është diçka që njerëzit e kanë ëndërr ta shohin gjatë jetës së tyre, është diçka aq e papërsëritshme, nuk mund t’i imitosh vetëm t’i përjetosh vetë. Edhe ne, sa herë që shohim Dritat Polare, ndalojmë çdo gjë për t’i soditur, sepse ato janë gjithmonë të ndryshme,” thotë Ville Haavikko, pronar i hotelit.

Aurora Borealis, apo Dritat Veriore shfaqen kur një erë magnetike diellore, e përbërë nga grimca me ngarkesë elektrike diellore, ndeshet me fushën magnetike të tokës, duke aktivizuar elektronet e oksigjenit dhe nitrogjenit.

Kur erërat diellore trazojnë fushës magnetike të tokës, disa grimca të elektrizuara nga dielli mund të hyjnë në atmosferën e Tokës në Polin magnetik të Veriut dhe Polin magnetik të Jugut.

Grimcat e elektrizuara ndeshen me oksigjenin dhe nitrogjenin në atmosferë, gjë që i bën këto grimca të ndriçojnë.

Për të rritur shanset e vizitorëve që të shohin Dritat Polare, por pa u sakrifikuar gjumin, Hoteli Arktik i Borës ka tani një “Zile për Aurora Borealis”.

Ata mund të vënë zilen dhe të flenë të qetë, pasi personeli i hotelit do të vëzhgojë qiellin e natës për ta.

Në periudhën dhjetor-janar kur është kulmi i sezonit të dritave polare, çmimi për një natë në kabinën e qelqtë për dy veta është 499 Euros, apo rreth 520 dollarë.

Zoti Haavikko thotë se shumë vizitorë vijnë pikërisht me shpresën për të parë dritat polare. Kjo dukuri natyrore tërheq mijëra turistë në pjesën veriore të gadishullit skandinav çdo vit.

Në qytetin e Rovaniemit me 62 mijë banorë, vijnë afro gjysmë milionë vizitorë çdo vit, shumica nga vende të tjera. Spektaktli i dritave polare mund të shihet në këtë qytet dhe përreth tij, nga mesi i gushtit deri në fillim të prillit.

Megjithëse nuk ka siguri që do t’i shohin dritat e gjelbra vezulluese, shumë vetë e bëjnë udhëtimin me shpresë.

"Kemi parë fotografitë dhe është diçka e mrekullueshme. Shumë miq kanë ardhur dy vitet e fundit për të parë këtë dukuri dhe ne donim ta shihnim vetë”, thotë turistja nga Singapori, Yvonne Tan.

"Është diçka që nuk e sheh në Singapor. Në fillim mendoja se ishin grimca gazi, por pastaj e kuptova që nuk ishin. Më duket se janë rreze dielli? Nuk e mbaj mend”, thotë turisti nga Singapori, Lee Han.

Ndërsa dita e shkurtër dimërore i afrohet fundit, vëzhguesi i Dritave Polare, Topi Jaako Matias Sarajarvi, fillon turnin e tij të gjatë të punës. Mund të duket si diçka magjepsëse, por 24 vjeçarit i duhet të rrijë jashtë në temperatura jashtëzakonisht të ulëta gjatë turnit prej 12 orësh. Ndonjëherë ai sheh një dritë të vogël dhe shpreson se drita do të shpërthejë në spektaklin ndriçues në qiell.

"Ndonjëherë dalloj një dritë, por më duhet të pres gjysëm ore ose një orë, që drita të forcohet para se të zgjoj turistët”, thotë ai.

Megjithatë Sarajarvi thotë se është një punë e këndshme. Ai shpesh sheh drita të llojeve, ngjyrave dhe përmasave të ndryshme. Pjesa e gjelbër dhe e kuqe e dritave veriore është rezultat i oksigjenit në atmosferë. Bluja dhe vjollca krijohen nga nitrogjeni. Sarajarvi thotë se është kënaqësi kur sheh reagimin e njerëzve ndaj dritave.

"E kam parë Aurora Borealis gjithë jetën time, e megjithatë ndonjëherë përsëri magjepsem. Është e çuditshme”, thotë ai.

Një mrekulli që gjendet vetëm në natyrë, e krijuar vetëm nga natyra.

XS
SM
MD
LG