Lidhje

Trafiku i drogës, goditet organizata shqiptare


Grupi që drejtohej nga dy vëllezër arrinte të fuste në Itali rreth 1 ton heroinë në vit. Falë operacionit të zhvilluar në Itali dhe Shqipëri u arrestuan 16 persona. Sekuestrohet një kompleks turistik në Durrës

Një organizatë e fuqishme shqiptare që merrej me trafikun e drogës në Itali u godit sot falë një operacioni të ndërmarrë si në Itali ashtu dhe në Shqipëri. Të paktën 16 persona u arrestuan ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Dy nga arrestimet u bënë në Shqipëri. Ndërsa u sekuestruan edhe pasuri me një vlerë që mendohet të jetë afër 10 milion euro.

Operacion antidrogë
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Sipas policisë, “droga me origjinë të paditur, në bordin e autoveturave dhe të kamionëve, arrinte në Veneto dhe në Trentino-Alto Adige ku grupi kriminal dispononte bazat logjistike për përpunimin dhe konfeksionimin. Më pas sasitë e lëndës narkotike shpërndaheshin në Veneto, Trentino Alto Adige, Lombardi dhe Toskana. Organizata kriminale e cila ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit, kishte krerët e saj në Shqipëri”, njoftoi sot policia. Drejtuesit e saj mendohet të jenë dy vëllezërit shqiptarë Altin dhe Emiljan Hajro, 31 dhe 28 vjec. Ata nuk figurojnë në listën e 16 të arrestuarve të ditës të sotme, pothuajse të gjithë të moshave të reja nga 27 deri 38 vjec. Dy prej anëtarëve u kapën në Shqipëri.

Organizata kishte disa degë. Një qelizë shpërndarje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento. Një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve në bordin e autoveturave të pajisura me një fund të dyfishtë ose nëpërmjet rrugëve ajrore. Një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës që ndodhej në Roverkiara (VR) dhe një strukturë që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, e që gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave

Struktura ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që edhe kur një qelizë e vetme do të neutralizohej nga forcat e policisë, organizata do të mund të vazhdonte të furnizonte tregun me lëndë narkotike dhe mbi të gjitha do të ishte shumë e vështirë të arrihej tek degëzimet vepruese. Kjo edhe për shkak se komunikimi mes anëtarëve të organizatës realizohej përmes një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar. Pikërisht për këtë edhe operacioni i sotëm u quajt “Enigma” duke ju referuar kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë luftës së dytë botërore.

Gjatë viteve të fundit policia italiane ka mundur të sekuestrojë afër 200 kilogram heroinë dhe mbi 300 kilogram marijuanë, ndërsa janë zbuluar dhe dy rafineri të drogës që përdoreshin nga kjo organizatë. Sipas policisë “paratë që buronin nga shitja e drogës dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet korrierëve për t’u përdorur për blerjen e lëndës narkotike dhe për realizimin e investimeve në pasuri të patundshme”, të cilat vlerësohen në afër 10 milion euro. Krerët e organizatës kishin të paktën një kompleks turistik në Durrës të shtrirë në një sipërfaqe prej afro 10 mijë hektarësh.

XS
SM
MD
LG