Lidhje

Trafiku i drogës, replika Rama-Basha


Tensione të forta politike pas rastit të avionit italian në Divjakë. Kryeministri: “Opozita, një shfaqje të shpifur politike. Po kërkon të pengojë çështjen e statusit". Basha: "Në vend të dorëheqjes, shfrim i urrejtjes ndaj opozitës”

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama foli për një shfaqje të shpifur politike, ndërsa u shfaq në mbrëmje duke ju drejtuar qytetarëve shqiptarë, pas tensioneve të ndezura nga ngjarja e së shtunës në Divjakë kur një avion italian i cili u ul në plazh dyshohet se ishte i përfshirë në një trafik droge. Zoti Rama tha se asnjë nga sinjalizimet për përdorim të mundshëm të avionëve për trafik droge, nuk ishte vërtetuar që nga shtatori kur qeveria e tij erdhi në pushtet. Pak orë më vonë reagoi kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha sipas të cilit “në vend të dorëheqjes shqiptarët dëgjuan shfrimin e urrejtjes ndaj opozitës”.

Ndërsa opozita ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë duke e akuzuar atë si të përfshirë direkt në trafiqe droge dhe ka paralajmëruar një valë protestash që pritet të nisin që neser, para selisë së parlamentit, kryeministri Edi Rama doli publikisht për të folur për situatën e krijuar pas ngjarjes së Divjakës. Fjala e kreut të qeverisë, në të vërtetë nuk ishte përqëndruar aq shumë te vetë ngjarja, se sa te interpretimet politike të atmosferës që ajo provokoi. Mbi ndodhinë e Divjakës, kryeministri më shumë aludoi për një skenar të përgatitur ndërsa foli për për një avion “të ulur cuditërisht në rërë, nga një pilot profesionist italian, të shtunën në një ditë me diell e që fluturon aq sa duhet për t’u pikasur, filmuar e fotografuar nga të katër anët. Një makinë e ngecur në rrugën aty pranë, plot me drogë e me canta të lëshuara si pakujdes. Shoferi një shqiptar i ardhur nga Italia, që s’kish kaluar më parë në atë rrugë”, tha zoti Rama duka vazhduar më pas me akuzat ndaj opozitës e cila sipas tij, që në momentet e pari ishte hedhur me tërbim kundër tij, ministrit të brendshëm dhe policisë, madje dhe “kundër interesit kombëtar në këtë moment”, theksi zoti Rama.

Pikërisht këtij aspekti, përpjekjeve të opozitës që sipas tij “po përbaltin imazhin e vendit” zoti Rama i mëshojë disa herë në fjalën e tij. Krahasimet nga ana e opozitës, të Shqipërisë me Kolumbinë, për të treguar përmasat e mëdha që sipas saj ka marrë fenomeni i trafikut të drogës, zoti Rama ju përgjigj duke deklaruar se “Shqipëria jonë e vogël nuk ka qenë si Kolumbia e narkotrafikut as dje kur qeverisnin këta që sot janë lëshuar më tërbim dhe padyshim nuk ka asnjë lidhje me Kolumbinë, sot kur gjatë tre muajve të fundit është kapur 5 herë më shumë drogë se 10 muajt e fundit të qeverisjes së tyre”.

Zoti Rama vazhdoi më tej me tone të ashpra se “të krahasosh Shqipërinë me Kolumbinë, në këto kushte, kur pas kaq vitesh Shqipëria e shqiptarët kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë jo pak, e jo vetëm për faj të tyre, nga paragjykimet e të tjerave ndaj vendit tonë e ta bësh këtë sot duke shpifur në mënyrë kaq monstruoze me qëllimin e ulët të manipulimit të opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar, ndërkohë që ky popull meriton një orë e më parë, një vend më të mirë, në gjirin e familjes europiane, do të thotë jo të mos mbështesësh vendin tënd, por të frymëzosh krimin”, tha zoti Rama.

Opozita akuzon qeverinë se ajo nuk dëgjoi paralajmërimet dhe denoncimet e saj për përdorimin e avionëve për trafik droge. Kryeministri tha se ai nuk mund të merrte seriozisht raste kur flitej për avion që ngriheshin rregullisht nga Divjaka, por se një cështje e tillë është trajtuar që përpara se hipotezat të bëheshin publike, theksoi zoti Rama. Ai shpjegoi se “sinjalizimet nga strukturat inteligjente datojnë shumë më parë se sa qershori i 2013”, dhe se “qeveria është vënë në lëvizje”, theksoi zoti Rama. “Kemi bërë me dije për këto fakte e dyshime të paprovuara edhe partnerët tanë dhe nga shtatori e deri para tre ditësh nuk jemi ndeshur me asnjë fakt të provuar”, theksoi ai.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha reagoi mbrëmë vonë ndaj daljes publike të kryeministrit Edi Rama. “Në vend të dorëheqjes, reflektimit apo ndjesës së kryeministrit përgjegjës, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dëgjuan shfrimin e urrejtjes së tij patologjike kundër opozitës”. Aludimet e zotit Rama për një skenar me ngjarjen e Divjakës, kreu i opozitës i cilësoi si një paranojë të kryeministrit. “Piloti italian vendosi të rrezikonte jetën dhe të bënte burg për t’i bërë keq Edi Ramës dhe kupolës së tij! Një nga narkotrafikantët vendosi të përfundonte në burg për t’i bërë keq Edi Ramës dhe kupolës së tij!”, ironizoi zoti Basha, sipas të cilit kryeministri “fyen gjithë shqiptarët duke vazhduar edhe pas nëntë muajsh në krye të qeverisë me fushatën e tij elektorale të mashtrimeve, gënjeshtrave dhe shpifjeve”.

Lidhur me deklarimet e zotit Rama sipas të cilave opozita me qëndrimet e saj po synon të pengojë përparimin në procesin e integrimit europian, kryetari i opozitës tha se “Partia Demokratike ka bërë e do vazhdojë të bëjë gjithçka qe Shqipëria të marrë statusin”, duke ju rikthyer akuzave se për tre vite me radhë ishte e majta ajo bllokoi statusin apo u përpoq sipas zotit Basha të bllokonte dhe heqjen e vizave.

Kreu i opozitës ju përmbajt akuzave për lidhje të qeverisë me trafiqet e drgës ndërsa tha se “të gjithë shqiptarët kanë sot një hall: nxjerrjen e vendit nga kthetrat e narkotrafikut me mbështetje dhe symbyllje qeveritare. Zoti Rama ka një hall tjetër: t’i ikë përgjegjësisë me çdo mënyrë dhe të vazhdojë avazin me kupolën e tij”. Kryetari demokrat këmbënguli sërish në kërkesës që kryeministrit “të dorëhiqet dhe të hapë rrugën për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe integrimin e vendit në Europë. Përndryshe – paralajmëroi zoti Basha - do të përballesh me të gjithë qytetarët e këtij vendi, me ata të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga mashtrimet dhe dështimet e tua, dhe me gjithë të tjerët që nuk të kanë besuar që nga fillimi por që kanë neveritur deri më sot rrenat dhe zullumet e tua. Por këtë fundit, të narkotrafikut me lejen dhe mbrojtjen tënde nuk e gëlltit askush. Këtë çorbë që vetë ke gatuar do ta hash vetë”, përfundoi kryetari i opozitës.
XS
SM
MD
LG