Lidhje

Brindizi, Kapet 1 ton marijuanë e ardhur nga Shqipëria


Burimet policore shqiptare kanë njoftuar se një skaf i mbushur me marijuanë, i nisur nga grykëderdhja e Lumit të Vjosës, është sekuestruar në brigjet e Brindizit mëngjesin e së hënës nga policia italiane. Burimet paraprake flasin për bllokimin e një ton marijuane në bordin e skafit, 8.5 metra të gjatë, me dy motorë të fuqishëm. Roja bregdetare italiane nuk ka dhënë hollësi, por sipas burimeve shqiptare të policisë, mjeti u zbulua mesnatën e së dielës në zonën e Mifolit, pranë Vlorës, dhe arriti t'i shpëtonte rojës bregdetare shqiptare.

Një tjetër rast trafiku i marijuanës u shënua mesnatën e së dielës në kufirin e gjelbër në Qafë Thanë për ta dërguar në Maqedoni. Trafikantët arritën t'i shpëtonin Policisë Kufitare shqiptare, duke lënë disa dhjetëra kilogramë marijuanë dhe duke u larguar.

Edhe në kufrin jugor shqiptar me Greqinë policia kufitare e Gjirokastrës arrestoi katër shtetas nga Fieri që po transportonin në mesnatë një sasi prej disa dhjetëra kilogramë marijuanë drejt territorit grek.

Sasitë e marijuanës janë kultivuar këtë vit masivisht në Shqipëri, pothuajse në çdo zonë të vendit dhe ky sezon përkon me transportimin e lëndës narkotike drejt vendeve fqinje. Italia është destinacioni kryesor i marijuanës shqiptare. Pak ditë më parë Policia italine bllokoi në zonën e Leçes 3,8 tonë marijuanë dhe arrestoi 9 shtetas shqiptarë.

Sipas një Raporti Vjetor të Drejtorisë Qëndrore Italiane të Antidrogës për vitin 2015, të publikuar pak muaj më parë, policia italiane bllokoi në vitin 2015 rreth 67,829 kilogramë hashash dhe 9313 kilogramë marijuanë. Sipas raportit pjesa më e madhe e lëndës narkotike ishte transportuar nga Shqiperia ne Itali përmes hapësirës detare (53,3 tonë), vetëm 18 kilogramë përmes aeroportit dhe pjesa tjetër nga zonat portuale.

XS
SM
MD
LG