Lidhje

OKB dënon vrasjen e një prifti holandez në Siri


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon e dënoi vrasjen e një prifti holandez në qytetin e rrethuar sirian të Homsit, duke e quajtur atë “një vepër mizore të dhunës”.

Prifti 75-vjeçar jezuit, Frans Van Der Lugt, ka jetuar në Siri për dekada të tëra dhe ka refuzuar të largohet nga Homsi pavarësisht nga luftimet intensive mbi një vjeçare atje.
Zoti Ban tha se ai “qëndroi me heroizëm pranë popullit sirian” pavarësisht nga vështirësitë në rritje në këtë vend.

Shefi i OKB-së tha se vrasja nënvizon nevojën urgjente për mbrojtjen e civilëve dhe i bëri thirrje të gjitha palëve në Siri që të garantojnë mbrojtjen e njerëzve të të gjitha feve dhe etnive.

Dëshmitarët thonë se prifti duket se ishte objektiv i drejtpërdrejt. Ata thonë se një person i armatosur i panjohur hyri dje në manastir, e nxori priftin Van Der Lugt në oborr dhe e qëlloi në kokë.

Van Der Lugt ishte një figurë e njohur në Homs, një qytet i kontrolluar nga rebelët që ka qenë nën rrethim të forcave të qeverisë siriane për më shumë se një vit. Ai është respektuar nga shumë njerëz për përpjekjet e tij për heqjen bllokadës qeveritare ndaj qytetit për të mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare në qytet.

Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi tha se Van Der Lugt tregoi guxim të madh duke treguar besnikërinë e tij ndaj popullit sirian pavarësisht nga situata jashtëzakonisht e rrezikshme në vend.
XS
SM
MD
LG