Lidhje

Dy gazetarë austrialianë ikin nga Kina nga frika e arrestit


Bill Birtles (majtas) dhe Mike Smith arrijnë në Sidni

Dy gazetarë australianë u larguan nga Kina, mes frikës se mund t’i arrestonin, thanë të martën punëdhënësit e tyre.

Bill Birtles, korrespodent në Pekin për kanalin televiziv “ABC” dhe Michael Smith, korrespondent në Shangai për “Australian Financial Review”, u strehuan për disa ditë në ambasadën e Australisë në Pekin, përpara se të largoheshin nga Kina të shoqëruar nga diplomatët australianë.

Ata arritën në Sidnej të martën në mëngjes, sipas raportimeve të mediave.

Largimet me nxitim vijnë pas arrestimit muajin e kaluar, për arsye ende të paqarta, të gazetares australiane Cheng Lei që punon për kanalin shtetëror kinez në gjuhën angleze CGTN. Ky arrestim i tensionoi edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Një nga gazetarët, Bill Birtles u këshillua javën e kaluar nga zyrtarë të ambasadës australiane të largohej nga Kina. Por, pak para nisjes së tij për në Australi, të planifikuar për të enjten e kaluar, shtatë oficerë të policisë kineze i shkuan në shtëpia në mes të natës dhe e informuan gazetarin se do të merrej në pyetje për një "çështje të sigurisë kombëtare".

Po ashtu policët i thanë gazetarit Birtles se ai nuk kishte të drejtë të largohej nga vendi. Pas kësaj, gazetari u strehua në ambasadën australiane në Pekin. Ai u mor në pyetje nga policia kineze, por në prani të dy diplomatëve australianë, dhe u lejua të largohej nga vendi.

Edhe gazetarit Michael Smith i shkoi policia kineze në shtëpi, në të njëjtën ditë, sipas Australian Financial Review. Smith u strehua në konsullatën e Shangait në Australi.

Marrëdhëniet midis Australisë dhe Kinës janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.

Kanberra zyrtare vendosi të veprojë kundër asaj që e cilësoi si “ndërhyrje në rritje të Pekinit në punët e Australisë”.

Po ashtu kërkesa disa muaj më parë për të hetuar origjinën e pandemisë së koronavirsit shkaktoi zemërim tek Pekini. Kina që atëherë ka ndërmarrë hapa për të ulur importet australiane dhe inkurajoi studentët dhe turistët e saj që të shmangin Australinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG