Lidhje

I dyshuari Tsarnaev në gjendje të rëndë në spital


I dyshuari për shpërthimet vdekjeprurëse në Maratonën e Bostonit Dzhokar Tsarnaev është në gjendje të rëndë dhe nën mbrojtje të përforcuar në një spital të Bostonit.
Policia e kapi të dyshuarin të premten në mbrëmje, pasi e zbuloi të fshehur në një barkë në oborrin e një banese në qytezën Watertown pranë Bostonit.

Hetuesit thonë se Tsanaev, i cili mendohet se kishte humbur shumë gjak kur u kap, nuk ka qenë i aftë fizikisht t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me motivet që e shtynë atë dhe të vëllain, Tamerlan, të ndërmarrin, siç besohet, sulme terroriste që lanë të vrarë tre vetë dhe mbi 170 të plagosur.

Prokurorët federalë ende nuk kanë finalizuar akt-padinë që do të ngrenë ndaj tij. Zyra Publike për Mrojtje Ligjore tha se do të caktojë një avokat për ta përfaqësuar në gjyq.
Për banorët e Bostonit në shtetin Masaçusets ka përfunduar një javë e gjatë dhe e tensionuar me kapjen e tij dhe vrasjen e vëllait, të dy të identifikuar nga autoritetet si personat e dyshuar në këtë incident.

Çlirimi që po përjeton qyteti ishte i dukshëm dje në stadiumin e mbushur plot gjatë një ndjeshjeje bejzbolli mes ekipit të Bostonit Red Sox dhe Royals të Qytetit Kansas. Ekipi i Bostonit kishte rezervuar bileta dhe kishte ftuar për të ndjekur ndeshjen policë dhe punonjës të ekipeve të ndihmës së shpejtë, për t’i nderuar për rolin e tyre në mbylljen e një drame mjaft tronditëse për qytetin. Ishte një moment ngazëllyes, kur ekipi Red Sox i Bostonit arriti edhe të fitojë ndeshjen.
XS
SM
MD
LG