Lidhje

Besimtarët shënojnë Pashkët nën hijen e koronavirusit


Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi u rrit në mbi 21,400, më i larti i çdo vendi të botës, me mbi 540 mijë të infektuar.

Katolikët amerikanë po i festojnë pashkët si asnjëherë tjetër, në distancim social, përmes alternativave online dhe televizionit, madje edhe brenda automjeteve në vendparkimet pranë kishave.

Guvernatorët dhe autoritetet shëndetësore kudo në vend u kanë bërë thirrje njerëzve të shmangin grumbullimet nëpër kisha. Në të gjithë botën, numri i të infektuarve është rreth 1.8 milionë dhe 108 mijë kanë vdekur.

Në mesazhin e tij me rastin e Pashkëve, Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi punonjësit e shëndetësisë dhe profesionistët e mjekësisë që ai tha se "kanë punuar pa u lodhur për të shëruar të sëmurët", si dhe mijëra vullnetarë e biznese të cilët "kanë dhuruar kohën dhe burimet e tyre për të ndihmuar në mposhtjen e këtij virusi."

"Pavarësisht nga rrethanat, ne do ta festojmë gjithmonë Pashkën si një moment përtëritjeje, rilindjeje... Koronavirusi nuk do ta ndalë Pashkën," tha Presidenti Trump.

Në lutjen e tij të Pashkëve, Papa Françesku bëri thirrje për solidaritet global në përballjen me koronavirusin dhe pasojat e tij ekonomike.

Ai bëri thirrje gjithashtu për zbutjen e sanksioneve ndërkombëtare, për ndihmë ndaj vendeve të varfëra që të paguajnë borxhin dhe për armëpushime në të gjitha konfliktet.

Ndërkohë, Kryeministri britanik Boris Johnson doli nga spitali të dielën pas kurimit nga koronavirusi. Ai komentoi për herë të parë pas daljes nga kujdesi intensiv, duke thënë se ia dedikonte jetën personelit mjeksor.

Sot, numri i të vdekurve në Britani nga koronavirusi arriti në 10 mijë, pas një rritjeje prej 737 në 24 orët e fundit.

Qeveria e zotit Johnson është nën presion në rritje për të shpjeguar se përse numri i të vdekurve nga koronavirusi po shtohet me shpejtësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG