Lidhje

Karantina për personelin shëndetësor


Organizata ndërkombëtare e ndihmave mjekësore “Mjekët pa Kufij” thotë se karantina e detyrueshme për punonjësit e shëndetësisë në SHBA po ndikon negativisht në aftësitë për të luftuar Ebolën në Afrikën Perëndimore. Organizata shprehet se karantina për ata që kthehen nga Afrika nuk është e bazuar mbi mjekësinë shkencore.Grupimi thotë se mbështet infermieren vullnetare Kaci Hickox, e cila doli për një xhiro me biçikletë dje, duke sfiduar kështu një karantinë 21-ditore në Maine, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, të imponuar për shkak të punës së saj me pacientë me Ebola në Sierra Leone.

Kaci Hickox falenderoi gazetarët dhe tha se do të shkonte të bisedonte dhe me përfaqësues të Departamentit të Shëndetësisë. E pyetur nëse e ndërmori këtë veprim e këshilluar nga avokatët e saj, ajo u përgjigj pozitivisht.

Zonja Hickox tha se ajo nuk ka simptoma, testimi ka rezultuar negativ për Ebolën, dhe se karantina shkel të drejtat e saj civile.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Samantha Power thotë se vullnetarët që luftojnë Ebolën duhen trajtuar si heronj kur kthehen në shtëpi.

Ambasadorja Power u tha udhëheqësve evropianë në Bruksel ditën e djeshme, pas kthimit nga Afrika Perëndimore, se frika po ndikon në luftën kundër sëmundjes vdekjeprurëse.

“Ka një kërcënim të madh ndaj aftësive tona për të vazhduar me ritmin e fituar javët e fundit për ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Ky kërcënim është frika. Favorizuesi më i madh për Ebolën është frika. Virusi shtohet së bashku me të. Ne e shikojmë frikën të pranishme në vendet e infektuara.”

Duke e konsideruar si krizën më të madhe të shëndetit publik, zonja Power theksoi gjithashtu se më shumë vende duhet të kontribuojnë në luftën kundër Ebolës.

Ebola ka shkaktuar rreth 5 mijë viktima në Guine, Liberi, dhe Sierra Leone.

XS
SM
MD
LG