Lidhje

Ndikimi i varfërisë në përhapjen e ebolës


Ebola përhapet nëpërmjet kontaktit me gjakun dhe lëngjet trupore të njerëzve të infektuar. Por ekspertët thonë se përhapja e sëmundjes po nxitet edhe për shkak të varfërisë dhe qeverisjes së dobët.

Në Afrikën perëndimore, vendet e ndryshme po ndërtojnë struktura nga e para ku mund të trajtohet ebola. Pacientët e karantinuar ndodhen tani në tenda të improvizuara.

Shumë spitaleve u mungojnë pajisjet bazë, thotë eksperti i Universitetit Tulane Daniel Bausch. Ai bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

“Shkon në një spital në Sierra Leone ose Liberi, dhe nuk është e pazakontë që një punonjës i shëndetsisë të të thotë se nuk kanë doreza ose shiringa të pastra.”

Sistemet e dobëta shëndetsore ndikojnë në vendet e tjera ku rreziku i ebolës është i lartë. Zoti Bausch thotë se ka një faktor të përbashkët.

“Të gjitha rastet e ebolës ose virusit të ngjashëm marburg, ndodhin në vende ku trazirat sociale dhe politike kanë shkatërruar sistemin e shëndetit publik.”

Republika Demokratike e Kongos e rrënuar nga lufta ka kaluar gjashtë kriza të ebolës. Ndërsa luftërat civile kanë prishur sistemet shëndetsore në Sierra Leone dhe Liberi në vitet ’90 dhe 2000.

Kur punonte në Guinenë fqinje, zoti Bausch pa me sytë e tij se si u prishën rrugët e asfaltuara dhe qytetet i pllakosi një varfëri ekstreme nën peshën e diktaturës dhe korrupsionit.

“Ajo periudhë e qeverisjes së papërgjegjshme degradoi sistemet dhe shëndetin publik në Guine, dhe mendoj se pati një rol në lënien e vendit në rrezikun e kësaj lloj epidemie.”

Shumë njerëzve në rajonet e prekura nga ebola u mungojnë jo vetëm sistemet shëndetsore, por edhe burimet për të mbijetuar. Dhe kjo i vë ata në rrezik.

Meqenëse pemët janë prerë për qymyr, lakuriqët e natës të cilët mendohet se përhapin virusin, vijnë në afërsi të vendbanimeve, thotë Dr. Bausch.

“Me shpyllëzimin, lakuriqët e natës që zakonisht kërkojnë fruta në zona mjaft të thella në brendësi të pyllit tani janë të detyruar të dalin nga pylli dhe të kërkojnë fruta, për shembull mango, në afërsi të njerëzve, duke shtuar mundësinë e përhapjes së virusit.”

Nga ana tjetër, varfëria po i shtyn njerëzit të shkojnë më thellë nëpër pyje në kërkim të ushqimit.

Nuk ka përse të ndodhë kështu, thotë Dr. William Karesh i organizatës EcoHealth Alliance:

“Ka përhapje të sëmundjes në Ugandë, por ata kanë investuar në sistemet e tyre shëndetësore dhe në sistemet e arsimit. Natyrisht, edhe ata preken nga sëmundjet, por mund t’i vënë nën kontroll shumë shpejt.”

Pasi të mbarojë kriza, thotë zoti Karesh, zyrtarët e shëndetit duhet të fillojnë të përgatiten për krizën tjetër me laboratorë më të mirë dhe me më shumë informacion publik se si mund të parandalohet infeksioni.

Nëse qeveritë investojnë në arsim dhe sisteme më të mira shëndetsore, thotë ai, kriza tjetër mund të jetë më pak vdekjeprurëse.

XS
SM
MD
LG