Lidhje

Editorial i VOA mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi


Koment i Zërit të Amerikës ku pasqyrohen pikpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara:

Më 9 dhjetor, Kuvendi i ri i Kosovës votoi për një koalicion të ri qeverisës, duke i dhënë fund periudhës së gjatë të formimit të qeverisë që nga zgjedhjet e qershorit. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përmes një deklarate, e uroi Kosovën për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, kalimi i parë demokratik i autoritetit politik që nga pavarësia, i cili rezultoi nga zgjedhje të lira dhe të drejta në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo qeveri koalicioni, dhe procesi që çoi në formimin e saj në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, tregoi forcën dhe vitalitetin e institucioneve demokratike e politike të vendit.

Sekretari Kerry përgëzoi Presidenten Jahjaga për rolin e saj të palëkundur udhëheqës për të garantuar se kalimi i pushtetit do të bëhej në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Zoti Kerry uroi gjithashtu Kryeministrin Isa Mustafa dhe kabinetin e tij të ri dhe premtoi mbështetje, ndërkohë që ata ndodhen përpara sfidave të shumta me të cilat përballen Kosova dhe rajoni. Këto sfida përfshijnë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe angazhimin e Kosovës në krijimin e një Gjykate të Posaçme për të trajtuar akuzat e hetuara nga një ekip hulumtues. Sekretari Kerry theksoi gjithashtu rëndësinë që qeveria e re të punojë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të mbështetur të gjitha komunitetet e Kosovës, dhe për ta trajtuar seriozisht çështjen e korrupsionit. "Ne presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën rreth një axhende të përbashkët që çon përpara zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe integrimin e saj euro-atlantik."

Tani që në Prishtinë ka një qeveri të re, Shtetet e Bashkuara mezi presin të shohin përpjekje të përtërira të nivelit të lartë në drejtim të zbatimit të plotë të marrëveshjes së prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ruajtja e momentit në Dialogun Beograd-Prishtinë është pjesë e pandarë e punës për ndërtimin e demokracisë gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë, për përmirësimin e mirëqenies së popullit të saj, dhe për përparimin si të Kosovës edhe të Serbisë në rrugët e tyre përkatëse drejt integrimit evropian, dhe për një rajon të qëndrueshëm, të qetë e të begatë.

XS
SM
MD
LG