Lidhje

Edward Snowden propozohet për çmimin Nobel të Paqes


Dy politikanë norvegjezë kanë propozuar ish kontraktorin e zbulimit amerikan Edward Snowden si kandidat për çmimin Nobel të Paqes.
Socialistët Baard Vegar Solhjell dhe Snorre Valen thanë se nuk janë dakort me të gjitha informacionet e nxjerra nga Snowden, dhe se pranojnë se ai mund të ketë dëmtuar sigurinë kombëtare të disa vendeve.
Por ata thonë se janë të bindur se veprimet e tij nxitën një debat publik dhe sollën ndryshime të politikave të zbulimit. Ata thanë se këto ndryshime kanë kontribuar në procedura më të qëndrueshme dhe më të paqshme në botë.
Këtu në Uashington, drejtori i Zbulimit Kombëtar nuk i vlerëson në këtë mënyrë veprimet e Snowdenit. James Clapper i tha komisionit të senatit për zbulimin, se nxjerrja e informacioneve nga Snowden ka bërë më shumë dëme nga sa kishte menduar ai më parë.
" Si rezultat ne kemi humbur burime kritike të zbulimit të huaj, përfshi disa që i ndanim me partnered tanë. Terroristët dhe armiqtë e tjerë të këtij vendi po mësojnë rreth metodave dhe burimeve amerikane të zbulimit dhe si rezultat puna jonë po bëhet shumë më e vështirë. "
Snowden, ish kontraktor i Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare, zbuloi vitin e kaluar se NSA-ja po përgjonte thirrjet telefonike të qytetarëve amerikanë dhe disa udhëheqësve të huaj si pjesë e luftës kundër terrorizmit.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë ta nxjerrin Snowdenin para drejtësisë nën dyshime për spiunazh dhe vjedhjen e dokumentave sekrete. Zoti Clapper tha se Snowden mund të ndalë dëmin e mëtejshëm ndaj sigurisë amerikane.
"Snowden pretendon se ka fituar dhe se misioni i tij është përmbushur. Në se është kështu, unë i bëj thirrje atij dhe bashkëpunëtorëve të tij të sigurojnë kthimin e dokumentave të vjedhura që ende nuk janë bërë publike për të ndalur një dëm edhe më të madh të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. "
Një deputet rus tha se qeveria e Moskës nuk ka plane për ta dëbuar Edward Snowden-in kur azili i tij i përkohshëm një vjeçar të përfundojë në gusht.
Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder tha javën e kaluar se qeveria nuk do të shqyrtojë mundësinë e faljes së Snowdenit, por do të diskutojë me avokatët e tij një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
XS
SM
MD
LG