Lidhje

Egjipt, thirrje protestuesve për t’u shpërndarë


Ministria e Brendshme u kërkoi mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi të largohen nga kampet e tyre të protestave në Kajro

Ministria e Brendshme e Egjiptit i ka bërë thirrje mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi të largohen nga kampet e tyre të protestave në Kajro, duke u ofruar protestuesve “një largim pa pasoja”. Kjo thirrje vjen një ditë pasi qeveria e përkohshme egjiptiane e mbështetur nga ushtria shpalli si "kërcënimeve të papranueshme" për sigurinë kombëtare dy manifestime në Kajro, duke kërkuar që ministria e Brendshme të merrte masa kundër protestuesve.

Në një deklaratë të lexuar sot në televizionin shtetëror, ministria e Brendshme e Egjiptit i bëri thirrje protestuesve në mbështetje të zotit Morsi që të lejonin që arsyeja dhe interesi kombëtar të mbizotërojnë dhe që të largoheshin sa më shpejt. Ministria tha se komandantët e policisë u takuan për të studiuar se si të vepronin kundër protestuesve në kampe, mes shtimit të thirrjeve ndërkombëtare për vetëpërmbajtje. Ende nuk është dhënë ndonjë datë për largim të njerëzve nga sheshet e manifestimeve.

Mbështetësit e Presidentit të rrëzuar egjiptian Mohammed Morsi qëndruan gjatë natës jashtë një xhamie të madhe në lindje të Kajros dhe në kampusin e universitetit kryesor të qytetit duke kundërshtuar urdhrin ushtarak.


Mohamed El-Baltagy – Udhëheqës i Vëllazërisë myslimane


"Përpjekjet për të kërcënuar dhe terrorizuar ata që marrin pjesë në manifestimet tona paqësore vazhdojnë, por dua të ripohoj se numri i pjesëmarrësve është në rritje dhe se ata janë këmbëngulës në të drejtën e tyre për të refuzuar grushtin ushtarak të shtetit, sidomos pas vrasjeve, masakrave, terrorizmit dhe dhunës kundër tyre. Dhe kjo është ajo që me të vërtetë kërcënon sigurinë kombëtare të Egjiptit, lënë në duart e atyre që kryen grushtin e shtetit."


Lëvizja Vëllazëria Myslimane e zotit Morsi shprehet e shqetësuar se ushtria mund të jetë duke përgatitur një tjetër masakër kundër mbështetësve të saj në sheshe. Të shtunën, forcat e sigurisë qëlluan kundër demonstruesve në Kajro, duke vrarë të paktën 80 persona.


Ndërkohë, Presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar senatorëve John McCain dhe Lindsey Graham të udhëtojnë në Egjipt javën e ardhshme për të kërkuar zhvillim sa më të shpejtë të zgjedhjeve. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel telefonoi të martën shefin ushtarak të Egjiptit Abdul Fatah al-Sissi për t’i kërkuar sërish që të ushtrohej vetëpërmbajtje.


Administrata e Presidentit Obama nuk e ka deklaruar largimin e zotit Morsi si një grushti shteti ushtarak, duke lejuar Shtetet e Bashkaura që të vazhdojnë ligjërisht ndihmën financiare për Egjiptin.

XS
SM
MD
LG