Lidhje

Egjipt, mbështetje për kushtetutën e re


Autoritetet në Egjipt thotë se vendi ka votuar në masë dërrmuese në favor të kushtetutës së re, që u prezantua si dokument që zëvendëson kushtetutën pro-islamiste të hartuar nga aleatët e ish-Presidentit Mohamed Morsi. Megjithatë, shifrat zyrtare të publikuara dje në Kajro tregojnë një pjesëmarrje relativisht të ulët, nën 40 për qind.

Turma duartrokiti kur kreu i Komisionit Zgjedhor Nabil Salib tha se pjesëmarrja në referendumin dy ditësh për kushtetutën ishte e konsiderueshme.

Ai tha se 20.6 milionë nga 53 milionë egjiptianë me të drejtë vote morën pjesë në referendum dhe 98.1% prej tyre votuan për kushtetutën. Pjesëmarrja prej 38% ishte më e lartë se 33% në referendumin e mëparshëm në 2012, kur egjiptianët votuan për kushtetutën e paraqitur nga Presidenti i atëhershëm Mohamed Morsi i Vëllazërisë Myslimane.

Zoti Salib tha se kushtetuta e re mori 98.1% miratim, krahasuar me 64% mbështetje për dokumentin e zotit Morsi me përmbajtje islamiste, e cila kundërshtohej nga egjiptianët që duan një qeveri laike. Një pjesë e mirë e gjyqësorit nuk pranoi të ndiqte procesin e votimit në 2012, gjë që u la dorë të lirë gjykatësve islamistë në pjesën më të madhe të qendrave të votimit.

Said Sadek, pedagog i sociologjisë politike në Universitetin Amerikan në Kajro vuri në dukje rëndësinë e votës në Kajro për të miratuar Kushtetutën, përfshirë pjesëmarrjen e grave, shumë prej të cilave nuk morën pjesë në referendumin e 2012.

"Në vendet në zhvillim, kryeqyteti është shumë i rëndësishëm. Në 2012, Kajroja tha ‘Jo’ kur votoi për kushtetutën e zotit Morsi. Këtë vit tha ‘Po’. Kishte një numër të madh njerëzish që morën pjesë vullnetarisht. Në 2012 mobilizimi u bë nga Vëllazëria Myslimane që dërgoi autobusë për transport. Media luajti rol këtë herë, po ashtu Ministri i Mbrojtjes Gjeneral Abdel Fatah Sisi. Edhe pjesëmarrja ishte e ndryshme – 55% gra, 45% burra. Përse? Gratë ndjehen të kërcënuara dhe duan të sigurohen se islamistët nuk do të kthehen në pushtet”.

Zoti Sadek thotë se pjesëmarrja prej 38.9% ishte pak a shumë e ngjashme me përqindjet ndërkombëtare, pasi zgjedhjet e përgjithshme tërheqin pjesëmarrje më të lartë se referendumet.

Zoti Sadek beson se pjesa më e madhe e egjiptianëve që morën pjesë në referendum, nuk votuan për Kushtetutën, por për stabilitet pas dy vjet trazirash.

"Njerëzit nuk votuan për kushtetutën, vetëm 5% e tyre e kishin lexuar dokumentin sipas qendrës së anketimeve Basira, pra njerëzit duhet të kenë votuar për stabilitetin. Ata votuan që Sisi të bëhet presidenti i ardhshëm. Ata votuan kundër Vëllazërisë Myslimane. Po të shohësh kush voton, vëren pjesëmarrje të lartë të klasës së mesme dhe të lartë”.

Televizioni shtetëror egjiptian njoftoi se Presidenti i përkohëshëm Adly Mansour do të mbajë një fjalim drejtuar vendit brenda 24-48 orësh për të diskutuar rrugën drejt demokracisë. Pritet që ai të thotë se do të zhvillohen zgjedhje për parlamentin e ri, pasuar nga zgjedhje presidenciale.
XS
SM
MD
LG