Lidhje

Një avion rus udhëtarësh rrëzohet në Egjipt


Në avionin e rrëzuar në gadishullin e Sinait ndodheshin 224 persona dhe deri tani janë gjetur mbi 120 trupa pa jetë

Një avion rus udhëtarësh me 224 persona në bord u rrëzua sot në mëngjes, më pak se gjysmë ore pas nisjes nga qyteti turistik Sharm el-Sheikh për në Shën Peterburg.

Duket se të gjithë personat në bordin e avionit Airbus A-321 kanë humbur jetën. Zyrtarët që shkuan në vendin e ngjarjes për të hetuar nuk kanë dhënë hollësi për shkakun e mundshëm të rrëzimit. Deri tani janë gjetur mbi 120 trupa pa jetë.

Autoritetet egjiptiane thonë se piloti kishte njoftuar për vështirësi teknike dhe kishte kërkuar të bënte ulje emergjente para se të humbiste kontaktin me kontrollorët e trafikut ajror.

Ato thanë se rrëzimi nuk duket të ketë ardhur për shkak të goditjes me armë zjarri.

Dega egjiptiane e Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e aeroplanit, edhe pse nuk ka ofruar asnjë provë. Ministri rus i Transportit Maksim Sokov e hodhi poshtë pretendimin e ISS-it.

Udhëtarët ishin thuajse të gjithë turistë rusë dhe Kremlini e ka shpallur 1 nëntorin ditë zie.

XS
SM
MD
LG