Një makinë-bombë ka shpërthyer në qytetin e Aleksandrisë, në Egjipt, duke vrarë të paktën dy njerëz dhe plagosur katër të tjerë. Zyrtarët thonë se shënjestra e sulmit ishte shefi i sigurisë së Aleksandrisë, dy ditë para se të mbahen zgjedhje presidenciale në vend.
Zyra e shtypit të qeverisë së Egjiptit tha se bomba shpërtheu pranë një autokolone ku ndodhej gjenerali Mostafa el-Nemr. Ai nuk u plagos gjatë sulmit.
Prokurori i Përgjithshëm i Egjiptit ka urdhëruar një hetim “urgjent dhe të gjerë” të sulmit, të cilin qeveria ia atribuon terrorizmit.
Asnjë nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin deri tani.
Sulmi ndodhi dy ditë para se egjiptianët të fillojnë një proces votimi tre-ditor të hënën, për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm. Zgjedhjet janë praktikisht një referendum për katër vitet në detyrë të presidentit Abdel Fattah el-Sissi.
Rivali i vetëm i Sisit është Mousa Mustafa Mousa i partisë el-Ghad (“E Nesërmja”). Kandidatët e tjerë janë tërhequr.
Facebook Forum