Lidhje

Egjipt: Militantët vrasin 24 policë në Sinai


Zyrtarë egjiptianë të sigurisë thonë se forcat militante kanë vrarë sot të paktën 24 policë në Gadishullin e Sinait, ku ka patur sulme thuajse të përditshme që kur ushtria dëboi nga pushteti Presidentin Mohamed Morsi muajin e kaluar.

Sulmi ndodhi sot në orët e para të mëngjesit, kur militantët hodhën raketa në drejtim të dy autobuzëve pranë qytetit Rafah, përgjatë kufirit me Rripin e Gazës.

Po sot, një avokat i ish-presidentit Hosni Mubarak tha se klienti i tij do të lirohet së shpejti. Fari el-Deeb tha se një gjykatë egjiptiane e ka nxjerrë të pafajshëm nga akuzat për korrupsion zotin Mubarak.

Pohimi i avokatit të zotit Mubarak nuk u konfirmua menjëherë nga zyrtarë të drejtësisë, por agjencia franceze e lajmeve AFP citoi burime të drejtësisë se zoti Mubarak do të vazhdojë të mbahet nën arrest, lidhur me akuza për një çështje tjetër. 85-vjeçari Mubarak përballet tani me akuzën se nuk e ndaloi vrasjen e protestuesve gjatë revoltës popullore që e detyroi atë të largohej nga pushteti në vitin 2011.

Diplomatë të Bashkimit Evropian takohen të mërkurën në Gjenevë për të diskutuar mbi krizën në Egjipt. BE po shqyrton ndihmën prej 6,7 miliardë dollarësh që i jep Egjiptit, ndërsa diplomatët po i kërkojnë udhëheqësve egjiptianë të gjejnë një zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse për konfliktin.
XS
SM
MD
LG