Lidhje

Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën në Japoninë verilindore


Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën në Japoninë verilindore
Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën në Japoninë verilindore

Ekipet ndërkombëtare të kërkim shpëtimit vazhdojnë kërkimet në qytetet përgjatë bregut verilindor të Japonisë ndërkohë që koha për gjetjen e të mbijetuarëve nga tërmeti dhe cunami i javës së kaluar po mbaron. Nuk dihet shumë mbi situatën në disa komunitete të provincave Iuate dhe Mijagi, shumë prej të cilave janë bllokuar nga shkatërrimi i rrugëve dhe infrastrukturës nga tërmeti me fuqi prej 9 ballësh që goditi Japoninë të premten e kaluar.

Agjencia Kombëtare e Policisë sot është cituar të ketë thënë se më shumë se 3,600 persona janë konfirmuar se kanë vdekur dhe më shumë se 7,500 persona tjerë figurojnë të humbur.

Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po largohen nga zonat pranë centralit bërthamore në Fukushima drejt qytetit të Korijamës, ndërkohë që njoftohet se sot ka patur lëkundje të reja. Të evakuuarit vazhduan të mbërrinin në një sallë të mëdha në Korijama, ku deri tani janë strehuar më shumë se 100 persona.

Disa banorë lokalë në Korijama gjithashtu kërkonin strehim, pasi braktisën shtëpitë dhe banesat e tyre të dëmtuara. Të tjerët gjetën strehë në shkollën e mesme të fshatit.

“Disa nga fshatarët kanë qëndruar në qëndrën e evakuuimit për një kohë të gjatë, katër ose pesë ditë dhe ata kanë filluar të lodhen. Dhe tani ata i pret një lodhje e madhe këtu,” thotë Kenji Furuuchi, zyrtar nga qytetit Kauaguçi i cili i ndihmon personat e moshuar në Korijama.

Fshati Korojama ndodhet rreth 64 kilometra larg centraleve bërthamore problematike.
Në Otsuçi Reika Miura kërkon nipin e saj.

“Kam ardhur të gjej nipin tim i cili është 50 vjeç. Motra e madhe nuk mund të vinte sepse e ka këmbën e sëmurë. Mendoj se shtëpia jonë është këtu diku,” thotë 68 vjeçarja.

Në Higashi Matsushima, palestra e një shkolle përkohësisht është shëndrruar në morg ku vendosen kufomat e gjetura. Të dëshpëruar, të mbijetuarit ecin pranë barrelave të vendosura në dysheme, duke zbuluar kufomat e mbuluara me batanije, ndërkohë që përpiqen të gjejnë të dashurit e tyre që figurojnë të zhdukur.

Ndërkohë, bora ka rënduar punën e ekipeve të specializuara, të cilët kërkojnë nën rrënojat e shtëpive në Iuata në pëpjekje për të gjetur ndonjë person të gjallë. Reshjet disa centrimentra të borës kanë mbuluar rrënojat e ndërtesave dhe rënia e temperaturës ka pakësuar shanset për gjetjen e ndonjë personi të gjallë.

Ushtarët e Forcës Mbrojtëse u janë bashkuar zjarrëfikësve dhe ekipeve profesionale të kërkim shpëtimit duke ecur në radhë përgjatë qyteteve të shkatërruar në kërkim të shenjave për jetë.

XS
SM
MD
LG