Lidhje

Ekonomia kineze në rimëkëmbje, mbeten ende sfida


Kina publikoi të premten të dhëna ekonomike, që tregojnë se ekonomia e dytë më e madhe e botës duket se po rimëkëmbet nga një ngadalësim gati 2 vjeçar. William Ide i Zërit të Amerikës njofton se ndërsa disa njerëz janë optimistë se këto të dhëna do të thonë se ekonomia kineze do të vazhdojë të stabilizohet gjatë këtij viti, disa të tjerë janë të shqetësuar rreth kërcënimit të vazhdueshëm nga dobësia ekonomike në vend dhe nëpër botë.

Zyrtarët kinezë thonë se për vitin 2012 ekonomia u rrit me 7.8 për qind, shifër kjo e afërt me parashikimin e qeverisë, por zhvillimi më i ngadaltë i ekonomisë së Kinës që prej vitit 1999.

Shaun Rein, drejtor menaxhues në Grupin Kërkimor të Tregut të Kinës, thotë se ngadalësimi i rritjes ekonomike është pozitiv. Ai thotë se gjatë 10 vjetëve të fundit Kina është varur së tepërmi tek investimet në infrastrukture dhe prodhimet e eksportit.

“Ajo që kemi nevojë të bëjmë është të konsumojmë më shumë dhe që kjo të arrihet qeveria duhet të miratojë projekte sa më të mira biznesi dhe jo çdo lloj biznesi vetëm për të pasur një prodhim më të lartë kombëtar, sepse kjo ka sjellë si rezultat shumë ndotje dhe investime joefikase.”

Drejtimi i ekonomisë drejt një modeli zhvillimi më të shëndetshëm është një prej sfidave kryesore për udhëheqësit e rinj të Kinës, mes tyre edhe presidenti i ardhshëm, Xi Jinping dhe kryeministri Li Keqiang.

Zyrtarët dhe ekonomistët kinezë kanë folur për një kohë të gjatë rreth nevojës që ka Kina për shtimin e konsumit të brendshëm dhe rolit që shpenzimet e konsumatorëve luajnë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Shitjet e konsumit, treguesi kryesor i Kinës për shpenzimet e konsumatorëve, u rrit me 14 përqind vitin e kaluar. Qeveria po bën përpjekje që të shtojë investimet private.
Zheng Xinli, nën drejtor i Komitetit Ekonomik të Partisë Komuniste, ishte optimist rreth ekonomisë kineze, kur foli me televizionin shtetror CCTV.

“Shpenzimet e konsumatorëve po shtohen tashmë dhe ritmet e ekonomisë dhe investimeve private kanë shënuar rritje të ndjeshme. Të gjithë këta tregues flasin për ndikimin e zhvillimit të brendshëm tek përforcimi i ekonomisë”.

Për të shtuar edhe më shumë konsumin e brendshëm, shpesh ekonomistët vënë në dukje nevojën që ndërmarrjet private të luajnë një rol më të madh në ekonominë kineze. Kina bëri përpjekje të mira drejt privatizimit nga fundi i viteve 1990-të, por pas krizës financiare të vitit 2008, stimulimet qeveritare u përqëndruan së tepërmi tek kompanitë shtetërore, thotë zoti Rein.

"Gjatë 4 vjetëve të fundit ka ekzistuar një mungesë ekuilibri pasi ndërmarrjet shteterore mbizotërojnë zhvillimin ekonomik dhe tregun e punës në Kinë. Prandaj ajo që duhet bërë është rigjallërimi i sektorit privat, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla e të mesme”.

Hu Xingdou, professori i ekonomisë në Institutin e Pekinit për Teknologjinë, thotë se reformat financiare janë një çështje kyçe që udhëheqësit e Kinës duhet të zbatojnë, ndërsa përpiqen të normalizojnë ekonominë dhe pjesë kryesore e këtij procesi është sigurimi që kompanitë private mund të marrin fonde për të zhvilluar bizneset e tyre.

“Monopolet shtetërore kanë dëmtuar tashmë rëndë ekonominë kineze, veçanërisht ekonominë private. Kontrolli nga shteti i sektorit financiar ka bërë që të gjitha fondet të përqëndrohen tek ndërmarrjet shtetërore, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme private përballen me vështirësi për të marrë borxhe”.

Për të zgjidhur këtë nevojë, qeveria kineze ka miratuar disa të ashtuquajtura ‘zona pilot’, ku ndërmarrjet private mund të sigurojnë fonde alternativë.

Zoti Hu thotë se ndërsa këto reforma mund të ndihmojnë, ato nuk do të jenë të mjaftueshme. Madje ekonomistët thonë se reformimi i sektorit financiar është i rëndësishëm sepse ai do të ndihmojë në përforcimin e zhvillimit të ekonomisë së vërtetë të Kinës. Ata thonë se sa më pak që Kina të varet tek eksportet për zhvillimin dhe investimin e infrastrukturës, aq më e fuqishme do të jetë ekonomia për të përballuar krizat financiare globale.
XS
SM
MD
LG