Lidhje

Ekonomia globale gjatë 2010-ës


Ekonomia globale gjatë 2010-ës
Ekonomia globale gjatë 2010-ës

Recesioni ekonomik global duket se ka rënë, por ekonomistët thonë se bota ende ndjen pasojat e tij, si papunësia e lartë, kriza e borxheve në Evropë dhe rimëkëmbja jo e njëjtë në vende të ndryshme të botës. Në vazhdim do të flasim për disa prej ngjarjeve të vitit 2010 që ndikuan më shumë tek ekonomia globale.

Një vështrim i ekonomisë botorore për vitin 2010 tregon se globi u përball me krizën më të rëndë financiare në shumë dekada.
Por pas më shumë se 2 vjetësh nga recesioni, ekonomia globale është shumë delikate, me ulje-ngritje dhe sipas ekonomistit të Bankës Botërore, Hans Timmer, nxitet kryesisht nga rritja në vendet në zhvillim.
"Rimëkëmbja më e madhe ekonomike vërehet në ekonomitë e reja të tregut, kryesisht në Azi, por edhe në Amerikën Latine".

Por zhvillimi i shpejtë ekonomik në vende si Kina, India dhe Brazili flasin për një mosbalancë në rritje.
Nga mesi i vitit, papunësia e lartë në Shtetet e Bashkuara dhe kriza e borxheve brënda 16 vendeve të eurozonës, ishin tregues se rimëkëmbja ekonomike nuk do të ishte e lehtë.
Uri Dadush është drejtor i programit të ekonomive ndërkombëtare pranë Fondacionit Karnegi.
"Ngjarja më e madhe në 2010-n ishte vazhdimi i rimëkëmbjes ekonomike, që në fakt ishte mjaft i shpejtë. Por ngjarja tjetër e madhe e vitit ishte kriza e borxheve në Evropë, e cila vazhdon edhe sot, madje përbën rrezikun më të madh për ekonominë globale në vitin 2011".

Mes një seri protestash në Greqi për shkak të masave të ashpra ekonomike të kushtëzuara me një paketë ndihmash evropiane, investitorët e shqetësuar humbën besimin tek euroja.
Edhe dollari nuk ishte në gjendje më të mirë. Një javë përpara takimit të rëndësishëm të udhëheqësve të G20-tës, Banka Qendrore amerikane njoftoi një plan të ri për të blerë letra me vlerë prej 600 miliardë dollarësh. Kjo politikë kishte për qëllim të ulte shkallën e interesit dhe t’i jepte shtytje ekonomisë.
Por udhëheqësit e G20-tës akuzuan Shtetet e Bashkuara se hedhin dollarë në tregjet globale për t’i bërë më të lira eksportet amerikane.


Kjo politikë nxiti ndjenja proteksioniste dhe dëmtoi argumentin e Amerikës për manipulimin e monedhës nga Kina, thotë ekonomisti Domeniko Lombardi në Institutin Brookings.
"Koha e njoftimit nuk ishte e përshtatshme sepse rrezikoi mundësitë e një bashkëpunimi të plotë mes pjesëmarrësve në takim".

Pa ndjenjën e urgjencës që kishte karakterizuar takimet e mëparshme, udhëheqësit e G20-tës arritën të merrnin vetëm një angazhim në parim kundër manipulimit të monedhës.
Por paaftësia e G20-tës për të gjetur një gjuhë të përbashkët u përfshi së shpejti nga shqetësimet për një krizë më të madhe evropiane. E ndodhur përballë një krize bankare dhe perspektives për të mos paguar borxhet e saj, Irlanda u bë vendi i dytë i eurozonës që kërkoi një paketë ndihmash financiare.
Pa një fond më të madh, ekonomisti Desmond Lahman në Institutin amerikan Enterprise thotë se vende të tjera me borxhe të mëdha do të dështojnë.
"Vendi që ka shumë të ngjarë të dështojë është Portugalia dhe pas saj do të jetë Spanja".

Spanja përbën sfidën më të madhe deri më tani për Bashkimin Evropian dhe si ekonomia e tretë më e madhe në Evropë, shumë ekonomistë mendojnë se dështimi i Spanjës do të ketë pasoja të mëdha.

Por ndërsa ka nga ata ekonomistë që thonë se shqetësimet rreth dështimit të euros janë shumë të ekzagjeruara, në përgjithësi ata thonë se një Evropë e qëndrueshme është shumë e rendësishme për rimëkëmbjen e ekonomisë globale.
Domeniko Lombardi i Institutit Brookings thotë se kjo është veçanërisht e vërtetë në Afrikë, ku fondet e donatorëve evropianë përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit në disa vende.
"Nëse perspektivat e Evropës përmirësohen, pa dyshim që Afrika do të përfitojë".
Ekziston gjithashtu një konsensus në rritje mes ekspertëve se rritja e shpejtë ekonomike në disa ekonomi të reja të tregut nuk mund të vazhdojë pa një zhvillim të balancuar në vendet perëndimore.

Fundi i vitit 2010 solli një rritje të besimit mes konsumatorëve amerikanë dhe kjo ndihmon në uljen e parashikimeve për një ngadalsim tjetër ekonomik.

Sidoqoftë, edhe analistët më optimistë thonë se parashikimi për ekonominë botërore në 2011-tën është pak a shumë i njëjtë: një zhvillim ekonomik shumë i ngadaltë, por i qëndrueshëm, ndërsa nivelet e borxheve rriten me shpejtësi.

XS
SM
MD
LG