Lidhje

Gjendja e ekonomisë në zgjedhjet e nëntorit


Pas shtatë vjet mëkëmbjeje – zhgënjimi ekonomik mbetet forca kryesore e zemërimit, që duket se po merr një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e nëntorit. Megjithë shifrat e reja ekonomike që sugjerojnë se më shumë njerëz po punojnë dhe pagat e tyre po rriten – shumë të tjerë mendojnë se mëkëmbja ekonomike i ka lënë ata pas.

Kjo është Denise Alber dhe ky është pirgu i faturave të saj mujore. Alber kujdeset për nënën e saj 98-vjeçare. Dhe ndërsa kostoja e ushqimit dhe ilaçeve është rritur… të ardhurat e familjes nuk kanë ndryshuar.

"Ka qënë shumë e vështirë të mbaj të njëjtin standart jetese. Nuk kemi mundur. Disa thonë se kjo është një luftë për klasën e mesme."

Përvoja e zonjës Alber është ndryshe nga shifrat e dala nga censusi i ri që tregon se familjet mesatare amerikane panë rritje të të ardhurave të tyre me më shumë se 5 përqind, rritja më e madhe që nga 2007. Por familja Alber nuk është e vetmja që ndihet e lënë pas.

“Plani ishte të kishe një punë dhe paga do të rritej kur kaloje nga të 20-at, në të 30-at në të 40-at, 50-at e deri sa të dilje në pension dhe do të kishe një pension të sigurtë. Nuk mendoj se është kështu tani.”

Ekonomistët thonë se është kjo ndjenjë e tradhtisë që ka ndezur zemërimin në këtë cikël zgjedhor – disa nga fakti se të ardhurat e klasës së mesme vazhdojnë të mbeten të pandryshuara ndërsa më të pasurit kanë përparuar.

“5 përqindëshi është ende i vetmi grup që është kthyer në nivelet e viteve 2000. Pra ata kanë fituar ato që humbën, kështu që ka pabarazi në ndarjen e të ardhurave, ka pabarazi midis grupeve racore dhe gjinore që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë.”

Disa ekonomistë fajësojnë mosfunksionimin politik për hendekun e madh të të ardhurave. Një shembull, - thotë mbrojtësja e të drejtave të të varfërve Maria Foscarinis, - është se Uashingtoni harxhon miliona dollarë më shumë për të burgosur njerëz sesa për t’i nxjerrë ata nga varfëria.

“Vërtet është një humbje burimesh. Ka studime që tregojnë se është më e efektshme t’i strehosh njerëzit sesa t’i kriminalizosh ata që jetojnë në rrugë dhe kjo po ndodh tani në shumë komunitete.”

Mosfunksionimi politik është një nga arsyet se përse shumë njerëz besojnë se zgjedhjet e ardhshme janë kaq të rëndësishme, por Denise Alber nuk ka shpresë.

"Nga pikëpamja ekonomike apo politike, jam shumë e dëshpëruar – nuk mendoj se ndonjë nga kandidatët mund të ndihmojë klasën e mesme."

XS
SM
MD
LG