Lidhje

Paralajmërime për El Nino-n


Organizata Botërore Meteorologjike thotë se El Nino, një fenomen metereologjik, që shkaktohet nga temperatura të pazakonta të ngrohta të oqeanit, ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e tretë të vitit 2014. Organizata Botërore Meteorologjike thotë se bota mund të presë këtë vit, mot më të nxehtë, më të thatë, por edhe më me lagështirë.
El Nino karakterizohet nga temperatura jashtëzakonisht të ngrohta të sipërfaqes së oqeanit Paqësor në zonën qendrore dhe lindore tropikale të tij. Fenomeni ndodh në intervale 2-7 vjeçare dhe ka një ndikim shumë të madh në klimën e botës.

Drejtori i Degës së Parashikimit të Motit për Organizatën Botërore Meteorologjike, Maxx Dilley thotë se nganjëherë këto kushte mund të jenë mjaft ekstreme.

“Ka pjesë të botës, të cilat përjetojnë mot më të thatë se normalisht gjatë viteve të El Ninos. Pastaj ka pjesë të tjera, të cilat kanë tendencë të kenë më shumë lagështirë. Disa vende do të përballen me mot më të nxehtë dhe disa të tjera me mot më të ftohtë. Pra, efektet mund të ndryshojnë në varësi të rajonit ku ndodheni.”

Organizata Botërore Metereologjike thotë se pret që këtë vit El Nino të arrijë të njëjtin nivel si El Nino i fundit, ai i vitit 2009-2010, i cili ishte viti më i nxehtë nga të gjithë të rregjistruarit.

El Nino i fundit rezultoi gjithashtu në kushte parregullsisht të thata në Australinë veriore, Indonezi dhe Ishujt Filipine. Moti më i thatë se normalisht preku edhe Afrikën juglindore dhe Brazilin verior.

Kjo shkaktoi shira më të pakta se normalisht në Indi, ndërsa në pjesët tropikale dhe subtropikale të Amerikës së Jugut dhe Veriut kishte më shumë lagështirë.

Organizata Botërore Meteorologjike pret që El Nino të arrijë kulmin gjatë tremujorit të fundit të këtij viti dhe në fillim të vitit 2015. Ajo thotë se nuk mund të jetë e sigurt se sa intensiv do të jetë, por pret një El Nino me fuqi mesatare.
Zoti Maxx Dilley thotë se ndikimi socio-ekonomik në rajonet e prekura nga këto ngjarje ekstreme të klimës mund të jetë i fuqishëm.

“Pra, për shembull, kur ka thatësirë, një nga sektorët, i cili preket më shpesh është bujqësia. Ajo gjithashtu mund të ndikojë në furnizimin me ujë që ndikon pastaj në ujitjen për bujqësinë ose në ujin e një rezervuari për prodhimin e hidroenergjisë. Mund të ketë edhe përmbytje, natyrisht. Pastaj ka ndikime në infrastrukturë. Mund të priten lidhjet e transportit, të prishen rrugët, urat, e të tjerë.”

Këto kushte klimatike, thotë ai, kanë gjithashtu ndikime serioze për shëndetin publik, si përhapjen e kolerës dhe të sëmundjeve të tjera me origjinë nga uji. Ajo mund të rrisë edhe rastet e malaries.

Zoti Dilley thotë se një numër organizatash ndërkombëtare po përdorin paralajmërimet e Organizatës Botërore Metereologjike për të planifikuar mënyra se si të pakësojnë ndikimin e El Ninos. Për shembull, ai vë në dukje se Programi Botëror i Ushqimit po merr masa me furnizime ushqimore për zonat që mund të përballeen me vështirësi nga moti ekstrem.

XS
SM
MD
LG