Lidhje

Përkeqësimi i motit dhe ndryshimet klimatike


Shumë pjesë të botës janë goditur këtë vit nga disa nga përmbytjet më të rënda të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm. Tifozët e futbollit këto ditë u desh të kalojnë nëpër rrugët e përmbytura të Recifes në Brazil për të arritur në stadiumin e futbollit ku u zhvillua ndeshja e botërorit SHBA-Gjermani. Fillimi i ndeshjes ishte i pasigurt për shkak të motit. Reshjet e dëndura të shiut goditën Brazilin ndërkohë që një raport i ri i Organizatës Botërore Meteorologjike parashikon një kthim të fenomenit të motit të njohur si El Nino këtë vit. El Nino karakterizohet nga temperatura mjaft të ngrohta në sipërfaqen e pjesës qëndrore dhe lindore të oqeanit Paqësor, dhe kjo mund të ndikojë mbi kushtet e motit në mbarë botën.

Përmbytjet e së enjtes së kaluar pasuan reshje të rënda shiu në Recife, një qytet bregdetar në Brazilin verior me rreth 1,5 milionë banorë. Dhe mund të ketë më shumë reshje shiu në ditët e ardhshme.

Nivele të papara të përmbytjeve goditën Ballkanin në fillim të këtij viti, duke vrarë më shumë se 50 njerëz vetëm në Serbi.

"Dimri i kaluar, bëhet fjalë për periudhën dhjetor 2013 deri në shkurt 2014, ishte më i lagështi i regjistruar ndonjëherë në më shumë se 250 vjet".

Në një konferencë mbi klimën në Japoni në fillim të këtij viti, Michel Jarraud, kreu i Organizatës Botërore Meteorologjike, tha se nuk ka më dyshim se temperaturat globale po rriten.

"Çdo dekadë ka qenë më e ngrohtë se sa dekadat paraprake në 40 vitet e fundit".

Ekspertët thonë se vapa ekstreme ngrohë sipërfaqen e oqeanit mbi nivelet e saj normale, duke ndikuar në klimën e mbarë botës. Ky njihet si fenomeni El Nino.
Philip Klotzbach është një studiues amerikan i cili foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"El Nino është më i ngrohtë se temperaturat normale të ujërave në Paqësorin qendror dhe lindor. Ngrohja normale e këtyre ujëra në Paqësorin tropikal shkakton rritjen e nivelit të erërave perëndimore".

Organizata Botërore e Meteorologjisë thotë se El Nino është duke u formuar përsëri këtë vit. Ai pritet të arrijë kulmin nga fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit 2015. Zoti Jarraud thotë se El Nino shkakton ngrohje të jashtëzakonshme në disa pjesë të botës, dhe reshjeve të rënda shiu në disa pjesë të tjera.

"Unë kam parasysh, për shembull, valën e madhe të të nxehtit që goditi Rusinë në vitin 2010. Janë bërë shumë studime mbi këtë dhe tani shkencëtarët besojnë se pa patur ndryshime klimatike një valë e tillë e të nxehtit nuk do të kishte gjasa të ndodhte. Ne jemi duke bërë përparim në analizimin e ngjarjeve ekstreme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike".

Shkencëtarët prej kohësh janë përpjekur të provojnë se emetimet e gazeve serrë shkaktojnë ngrohjen globale dhe ndikojnë në klimën tonë. Zoti Jarraud thotë se ka gjithnjë e më shumë dëshmi se kjo është e vërtetë, por ai thotë se bindja e politikanëve që të marrin masa për të frenuar ndotjen mbetet sfiduese.

"Për të parandaluar ndryshimet e rrezikshme klimatike duhet të ndalet përdorimi i qymyrit, gazit dhe naftës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të përdoren burime të ripërtëritshme të energjisë, të krijohen sisteme të efektshme të energjisë në vend dhe kështu me radhë".

Organizata Botërore Meteorologjike po u kërkon qeverive që të përgatiten për El Ninon dhe kushtet ekstreme të motit që ai mund të sjellë.

XS
SM
MD
LG