Lidhje

Emigrantët të revoltuar nga radhët kilometrike në Kakavijë


Tensionet në kufirin Shqipëri-Greqi
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Tensione u shënuan gjatë paradites të së dielës mes qytetarëve shqiptarë që prisnin në një radhë kilometrike në Pikën Kufitare të Kakavijës pas punës së ngadaltë në anën greke. Pasi autoritetet kufitare shqiptare ndërmjetësuan në mesditë, lëvizja e mjeteve rinisi me ritëm më të ngadaltë, ndërsa një radhë prej mbi pesë kilometrash ishte e pranishme në anën shqiptare të kufirit.

Herë pas here qytetarët shqiptarë grumbullohen në pikën kufitare dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të lehtësojnë lëvizjen. Pika kufitare e Kakavijës në kufi me Greqinë, ndonëse punoi gjatë natës, arriti të përpunojë vetëm rreth 400 mjete dhe 1000 persona deri në orët e mesditës. Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se mbi bazën e vendimeve të autoriteteve greke, nga e hëna datë 17 gusht, nga pika kufitare e Kakavijës do të lejohen të kalojnë në Greqi vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga pika e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 10 të mbrëmjes.

Kjo e ka rritur më shumë shqetësimin tek mijëra qytetarë shqiptarë që kanë rreth 48 orë në kufi. Emigrantët po u kërkojnë autoriteteve shqiptare që të ndërmjetësojnë sërish me palën greke që pika kufitare të funksionojë edhe gjatë natës deri të hënën në mëngjes për të lejuar edhe ata emigrantë që presin për një periudhë të gjatë në radhë që të arrijnë të hyjnë në tokën greke. Radha kilometrike që një ditë më parë ishte drejt fshatit Jorgucat, tani është shkurtuar drejt zonës së Vriserasë, ndërkohë që në kufi nuk duket se vijnë më automjete te reja drejt Greqisë.

Presidenti Ilir Meta reagoi të dielën për situatën në Kakavijë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se “qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet". Presidenti i kërkoi qeverisë shqiptare “për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin falas dhe, në vendin ku ndodhen, të tamponëve për COVID-19”. Presidenti Meta kërkoi edhe nga autoritetet greke, “që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet”.

Edhe Kryeministri Rama reagoi sot për situatën në Kakavijë përmes një deklarate të gjatë ku thuhet se “Natyrisht që askush s'mund të jetë as i lumtur, as i paacaruar nervash duke pritur në karvane sfilitës nën diellin përvëlues, për të kaluar kufirin. Por as koha që jetojmë nuk është aspak normale dhe pavarësisht shumëkujt që e konsideron Covidin një sajesë të oligarkisë botërore, Covidi jo vetëm ekziston, po edhe i ka futur shtetet në lloj-lloj spiralesh shqetësuese, në përpjekjen për ta përballur kanosjen e tij”, shkruajti zoti Rama. Sipas kryeministrit shqiptar, “Kakavija nuk është as ndonjë përjashtim në këtë kohë të mallkuar dhe as ka ndonjë lidhje me ndonjë qasje a sjellje antishqiptare të fqinjëve tanë". Zoti Rama komentoi në deklaratën e tij e edhe humbjen e jetës së një 10 vjecari që u përplas të shtunën nga një autoambulancë në radhët kilometrike në anën shqiptare. “Humbja e jetës së fëmijës që i preu rrugën autoambulancës ishte një tragjedi e dhimbshme sa s'ka dhe ne nuk do të mjaftohemi thjesht me ngushëllimet e sinqerta me fjalë që as nuk gjenden dot, për atë familje të goditur nga ajo fatkeqësi e tmerrshme. Por nuk është gjëkundi as kjo një arsye për të urryer fqinjin apo mallkuar shtetin”, u shpreh Kryeministri Rama. Zoti Rama përsëriti angazhimin për ndihmën e qyetarëve që qëndrojnë në kufi: “asistencë përmes Forcave të Ushtrisë, Urgjencës Kombëtare, strukturave vendore, me gjithçka mundemi për njerëzit që po sfiliten në atë karvan rraskapitës dhe komunikim në vijimësi me palën greke në të gjitha nivelet - tanimë ata janë angazhuar me tre turne për të lehtësuar kalimin”, tha ai.

Edhe Partia Demokratike e opozitës reagoi sot për situatën në kufirin shqiptaro-grek. Nëpërmjet një deklarate, Partia Demokratike shpreh “shqetësimin për të gjithë ata shqiptarë që po rraskapiten prej 5 ditësh në kufi, ku është krijuar një krizë e vërtetë humanitare” . Partia Demokratike thotë se situata “është një krizë që tregon dështimin e qeverisë për të komunikuar me qytetarët e vet në këtë kohë kaq delikate dhe të rrezikshme për shëndetin. “Është e turpshme që as Edi Rama dhe asnjë nga ministrat e tij nuk ndërprenë pushimet, por vazhdojnë të relaksohen në resortet dhe vilat luksoze të bregut sipas një axhende që nuk ka asnjë lidhje me interesin e qytetarëve”, thotë Partia Demokratike në deklaratën e saj të bërë publike të dielën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG