Lidhje

Shpëtohen rreth 800 emigrantë në Lampeduza


Ekipet e patrullimit të Italisë dhe Maltës kanë shpëtuar afro 800 emigrantë, në një sërë operacionesh në Mesdhe. Autoritetet italiane thonë se operacionet u kryen mbrëmë dhe sot në mëngjes, kur patrullat kapën të paktën pesë anije të mbushura me emigrantë pranë ishullit të Lampeduzës. Ndërkohë, roja bregdetare tha se rreth 200 refugjatë, që besohet të jenë sirianë, arritën në Lampeduza me një tjetër anije.

"Ata janë shumë të lodhur , të dehidratuar, kanë pasur të vjella, por gjendja e tyre e përgjithshme është e mirë. Mes tyre janë pothuajse 60 deri në 70 fëmijë dhe 15 deri 18 gra shtatzëna. Numri i përgjithshëm është ende i paqartë."

Rreth 400 prej emigrantëve u shpëtuan nga anijet e marinës që janë urdhëruar të patrullojnë në Detin Mesdhe pas fundosjes së anijes në fillim të këtij muaji në afërsi të brigjeve të Lampeduzës, ku më shumë se 300 emigrantë, kryesisht nga Eritrea humbën jetën.

Dhjetra refugjatë nga Eritrea u shpëtuan sot në jug të Lampeduzës, dhe dy anije të rojes bregdetare shpëtuan më shumë se 200 emigrantë të tjerë.

Roja bregdetare tha se rreth 200 refugjatë, që besohet të jenë sirianë, arritën në Lampeduza me një anije tjetër.

Kryebashkiakja e Lampeduzës, ishullit ku shumica e emigrantëve arrijnë, ka paralajmëruar udhëheqësit evropianë mbi nevojën urgjente për rishikimin e politikave të imigracionit.

"Nëse nuk ndryshon qasja e Evropës ndaj çështjeve të azilit dhe imigracionit, në Lampeduza nuk do të mbyten vetëm emigrantët, por edhe BE-ja," tha në Bruksel Giusi Nicolini, ku u takua me kreun e Parlamentit Evropian Martin Schulz.

Autoritetet thonë se përkeqësimi i kushteve humanitare në Siri dhe në Bririn e Afrikës ka nxitur një rritje të numrit të refugjatëve që po përpiqen të shkojnë në Evropë përmes Lampeduzës.

Më shumë se 33 mijë emigrantë kanë zbarkuar në Itali brenda këtij viti - gati tre herë më shumë se sa në vitin e kaluar. Emigrantët vijnë kryesisht nga Eritrea, Somalia dhe Siria.
XS
SM
MD
LG