Lidhje

Të tjerë emigrantë shpëtohen nga një furgon në Austri


Policia austriake njoftoi se arriti të shpëtojë nga vdekja tre fëmijë të vegjël të dehidratuar në një furgon në Austri, së bashku me 23 emigrantë të tjerë nga Siria, Afganistani dhe Bangladeshi.

Ata u shpëtuan dje, një ditë pasi u gjetën 71 trupa emigrantësh të vdekur brenda një kamioni të braktisur përgjatë një autostrade ndërmjet Vienës dhe Budapestit.

Fëmijët, dy vajza dhe një djalë të moshës 5-6 vjeçare, ishin në gjendje tepër të rënduar në momentin kur policia e ndaloi furgonin për tejkalim shpejtësie pranë qytetit St. Peter am Hart, në afërsi të kufirit me Gjermaninë. Fëmijët ndodhen tashmë në spital ku po marrin trajtim mjekësor.

Zëdhënësi i policisë austriake, David Furtner, njoftoi se sipas mjekëve, fëmijët nuk do të kishin mbijetuar dot më gjatë në atë gjendje.

Shoferi rumun, i cili gjithashtu refuzoi të ndalonte mjetin, u arrestua. Ky është incidenti më i fundit në një zinxhir tragjedish të emigrantëve që po trondisin Evropën.

Ndërkohë, katër të dyshuarve për vdekjen e 71 refugjatëve të gjendur ditën e enjte, u është dhënë masë paraburgimi nga gjykata hungareze.

Tre të dyshuarit bullgarë janë të moshave 29, 30 dhe 50 vjeç, ndërsa i dyshuari afgan është 28 vjeç.

Gjykata ra dakort me prokurorinë se lloji i rëndë i krimit dhe rreziku se mund të largohen nga vendi justifikon mbajtjen e tyre nën arrest. Të katër të dyshuarit kanë apeluar vendimin me pretendimin se nuk kanë kryer asnjë krim. Çështja gjyqësore vazhdon në qytetin hungarez Kecskemet, ku ishte pikënisja e kamionit pasi mblodhi emigrantët pranë kufirit me Serbinë.

Dje, shefi i OKB-së, Ban Ki-moon tha se ndjehet “i tmerruar dhe zemërthyer” nga vdekjet rishtazi të emigrantëve, në tokë dhe në det. Shumica e viktimave janë sirianë, ndër ta edhe fëmijë. Shefi i OKB-së synon të organizojë një takim të veçantë me këtë temë, më datë 30 shtator, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

XS
SM
MD
LG