Lidhje

Pas barrierave të Amerikës, emigrantët indianë kthejnë sytë nga Kanadaja


Ankit Gupta duke treguar vizën e tij të emigracionit drejt Kanadasë
Ankit Gupta duke treguar vizën e tij të emigracionit drejt Kanadasë

Për gati pesë dekada, Shtetet e Bashkuara ishin zgjedhja e parë e studentëve dhe profesionistëve që kërkonin të shpërnguleshin nga India. Por, tani që Uashingtoni po i kufizon edhe më shumë politikat e emigracionit, dhjetëra mijëra të rinj indianë po udhëtojnë në drejtim të Kanadasë, shtet që ka hapur dyert për emigrantët pasi ka mungesa për punonjës të aftë. Nga Nju Delhi raporton Anjana Pastricha.

Teksa paketojnë valixhet në shtëpinë e tyre në Nju Delhi, Ankit Gupta dhe gruaja e tij, Shubhi janë të gëzuar.

Çifti i ri, të dy kontabilistë, morën ftesë për qëndrim të përhershëm në Kanada, e ngjashme me kartën e gjelbër amerikane.

Ata dëshironin të emigronin në një vend të zhvilluar që t’i jepnin vajzës nëntë vjeçare një të ardhme më të mirë dhe atyre vetë punë dhe jetë më të qëndrueshme.

Kanadaja synon që deri në vitin 2021 të pranojë një milion profesionistë.

Të them të drejtën, SHBA-në nuk e kam pasur në mendje. Nga fillimi unë po kërkoja një vend që do të më mundësonte mua, familjes sime, në veçanti vajzës, jetën ku ajo mund të ecë përpara në atë që dëshiron të bëjë pa e penguar askush. Ajo mund të mendojë vetë dhe të ndjekë ëndrrat e saj”, thotë Ankit Gupta, kontabilist.

Përveç profesionistëve të rinj, mijëra studentë kanë zgjedhur Kanadanë, sepse rruga drejt marrjes së shtetësisë është më e lehtë.

Kur Nikhil Kumar aplikoi për studime pasuniversitare jashtë shtetit, Amerika, që ishte zgjedhja kryesore e indianëve prej dekadash, nuk ishte opsion për të.

Vështirësitë pas diplomimit në një kolegj në Delhi, e detyruan atë të shikojë mundësi jashtë shtetit. Por, vështirësitë e marrjes së vizës së punës në SHBA, bënë që Kumar të zgjidhte universitete në Kanada, vendi që ofron mundësi punësimi dhe shtetësi me një proces të lehtë.

Në SHBA ligjet janë më të ashpra. Studentët indianë përballen me shumë probleme atje. Prandaj them, pse të humbas kohë atje. Kandaja është vend i mirë ku mund të marr shkollim të njëjtë”, thotë Nikhil Kumar.

Megjithatë, largimi nga shtëpia asnjëherë nuk është i lehtë.

Nuk është e lehtë të lësh pas një jetë të sigurt. India është shtet në zhvillim, kemi familje, siguri dhe punë që paguhen mirë”, thotë Ankit Gupta, kontabilist.

Por, shtimi i popullsisë në Indi, ndotja e ajrit, vështirësitë e pranimit në kolegje të mira për shkak të konkurencës së ashpër, i bëjnë indianët kërkuesit më të mëdhenj të shtetësisë në Kanada.

Popullsi e vogël, kulturë e mirë. Secili mund të mbajë kulturën e tij dhe ta ndajë me njerëzit atje. Edukimi dhe shëndetësia janë të mira, vendi është i përkryer. Pra, është shumë mirë”, thotë zoti Kumar.

Politikat kanadeze po i joshin gjithnjë e më shumë emigrantët, ndërkohë që brigjet amerikane po bëhen më të largëta për shkak të pengesave në rritje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG