Lidhje

Operacioni Yonatan: lirimi i pengjeve në Entebbes


Për të thuhet se ka qënë operacioni ushtarak izraelit më heroik ndonjëherë, një aksion shpëtimi në Afrikë që ka frymëzuar disa filma në Hollivud, duke u bërë kështu simbol i refuzimit të shtetit hebre për t’u përkulur para terrorizmit. Pas thuajse 40 vjet më vonë, një panair tregon historinë pas misionit legjendar.

Më katër korrik 1976, trupat komando izraelite bastisën aeroportin Entebbe në Uganda duke shpëtuar pothuajse të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin e linjës Air France të marrë nën kontroll nga rrëmbyes palestinezë.

Kjo ekspozitë në Qendrën Yitzhak Rabin pranë Universitetit Tel Aviv nën kujdesin e kuratorit Avner Avraham, një ish pjesëtar i forcave speciale Mossad, lindi si ide ndërsa ai ende punonte për agjencinë izraelite të spiunazhit. Ideja u zbatua me idenë e Dalia Rabin, vajza e kryeministrit të ndjerë Yitzhak Rabin, i cili dha urdhër për operacionin në vitin 1976.

“Janë shkruar libra dhe janë bërë filma. Kjo ekspozitë paraqet në njërën anë ngjarjet nga këndvështrimi i pengjeve, dhe pjesa tjetër tregohet përmes syrit të forcave qeveritare të sigurisë. Për herë të parë del në këtë panair pjesa e vogël dhe e rendësishme që luajti Mossadi në operacion.”

Avner tregon se ngjarjet filluan me 26 qershor 1976, kur katër rrëmbyes të armatosur u futën në aeroplanin e kompanisë Air France që bënte linjën nga Tel Avivi në Paris gjatë një ndalese në Athinë dhe morën kontrollin e tij.

Pas një furnizimi në Benghazi të Libisë, aeroplani u ul në aeroportin Entebbe në Uganda ku u mirëprit nga diktatori Idi Amin.

Rrëmbyesit, dy palestinezë dhe dy gjermanë, i ndanë rreth 100

pasagjerët izraelitë që ndodheshin në bord nga pjesa tjetër, në një skenë

që të kujtonte procesin nazist të përzgjedhjes, dhe kërcënuan me vrasjen

e tyre nëse Izraeli nuk do të lironte dhjetëra të burgosur palestinezë. Më tej pasoi një javë e gjatë negociatash. Me katër korrik, Izraeli ndërmori “Operacionin Vetëtima” ku rreth 200

Ushtarë u lëshuan nga ajri në aeroportin Entebbe. Rrëmbyesit u vranë dhe u shpëtuan pothuajse të gjitha pengjet dhe gjithçka mori fund në më pak se një orë.

Tre pasagjerë humbën jetën gjatë operacionit ndërsa një i katërt i

plagosur, i cili u çua në spitalin lokal, u vra më vonë me urdhër të diktatorit të zemëruar të atij vendi.

Yonatan Netanyahu, komandant i grupit special që udhëhoqi aksionin, u qëllua për vdekje ndërsa ndihmonte pengjet izraelite që mbaheshin brenda aeroportit që të hipnin në aeroplan.

Vdekja dramatike e bëri Yonatan një hero hebre të kohëve moderne dhe e vuri familjen e tij në qendër të vëmendjes së kombit izraelit.

Në panair gjendet edhe një kopje e urdhërit për të ndërmarrë operacionin si dhe jeleku i veshur nga Yonatan Netanyahu. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është vëllai i heroit. Ai mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Edhe Benjamini do të ndiqte shembullin e vëllait të tij duke u radhitur në trupat ushtarake elite, Sayeret Matkal.

“Këto gjëra na kujtojnë heroizmin e ushtarëve izraelitë, unitetin e kombit tonë në ditët dhe mrekullitë që jemi në gjendje të krijojmë dhe ne qendrojmë të bashkuar kundër armiqve tanë.”

Ngjarja është pasqyruar edhe në tre filma. Ndërsa filmi Operacioni Yonatan ka fituar çmimin e akademisë në vitin 1978 në kategorinë e filmave të huaj.

Tani 80 vjeçare, Sara Guter Davidson ishte nisur për vizitë në Shtetet e Bashkuara me burrin dhe dy djemtë kur ata u morën peng. Ajo ka shkruar një libër mbi këtë ngjarje bazuar në ditarin që mbante çdo ditë, duke përshkruar eksperiencën dhe si ajo u mundua t’u tërhiqte vëmendjen fëmijëve përmes lodrave.

“Ishte e rendësishme për mua që të dokumentohej ngjarja sepse isha shumë e sigurtë se ne do të vriteshim.”

Kur dëgjuam të shtëna armësh në terminal, tregon ajo, u hodha mbi djalin e vogël dhe u bëra gati të vdisja. Më pas, një zë burri në gjuhën hebraike i veshur me rroba ushtarake, kujton Sara, na tha se ishte këtu për të na shpëtuar.

XS
SM
MD
LG