Lidhje

Enver Hoxhaj: Protestat e Universitetit të Prishtinës po politizohen


Të enjten në Uashington u zhvillua mëngjesi i lutjeve. Nga Kosova ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili ishte i ftuar për intervistë në emisionin televiziv Ditari.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, së pari desha të merrja një reagim prej jush lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës. Ju keni qënë ministër i arsimit, ku mendoni se qëndron problemi?

Enver Hoxhaj: Unë jam që dy ditë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkaura dhe padyshim që nuk kam mbërrit t’i ndjek të gjitha zhvillimet se çfarë ka ndodhur sot, por mendoj që situata në Universitetin e Prishtinës dhe rreth tij duhet të kuptohet në dy dimensione: Dimensioni i parë është që çdo profesor dhe çdo student pa dyshim ka të drejtë të shqetësohet për cilësinë e arsimit, ka të drejtë të shqetësohet për mënyrën e dhënies së gradave shkencore, marrjen e titujve të ndryshëm akademik. Dhe unë mendoj që Universiteti i Prishtinës në këtë drejtim duhet të bëjë një punë shumë të madhe me që prej asaj se si dikush ka arrit që të doktorojë, ka arrit që të merr titullin e profesorit ka të bëjë direkt me cilësinë e mësimdhënies dhe me cilësinë e hulumtimit, prej të cilit varet mandej edhe ……

Zëri i Amerikës: Kanë të drejtë protestuesit që të kërkojnë dorëheqjen e rektorit?

Enver Hoxhaj: Dhe dimensioni i dytë është që ka disa agjentë të partive politike, të cilët bëjnë përpjekje që gjoja ta depolitizojnë universitetin përmes një axhende të partive të caktuara politike. Universiteti i Prishtinës ka një numër të madh studentësh, ka rreth 40 mijë studentë, dhe një numër i vogël protestuesish pa dyshim që nuk e përfaqëson opinionin e shumicës së studentëve. Ajo që ka ndodhur rreth thirrjeve të rektorit, për mendimin tim mënyra më e mirë se si të adresohet një çështje e tillë nuk është dhuna por është ndjekja e rrugëve ligjore. Është themeluar një komision në Universitetin e Prishtinës, i cili duhet të hetojë se çfarë ka ndodhë me publikimin e këtyre punimeve nga ana e rektorit Gashi në disa revista, që sipas asaj që kam lexuar në media mund të jenë të rrejshme. Dua të them që mendimi im person është që komisioni që është themeluar duhet të bëjë punën e tij dhe Universiteti i Prishtinës, përtej debatit rreth thirrjeve akademike të rektorit, duhet të jetë shumë i shqetësuar për thirrjet akademike të shumë profesorëve të cilët në 20 vitet e fundit për mendimin tim nuk kanë ndjekë procedurat ligjore, nuk kanë bërë botime të mirëfillta shkencore, dhe kredibiliteti i tyre akademik është në pikpyetje. Por kjo çështje nuk i takon ministrit të jashtëm që të jep mendime, por i takon universitetit. Vende të ndryshme, që janë ballafaquar me situate të tilla të njëjta kanë angazhuar agjencione ndërkombëtare të akreditimit, të cilat janë marrë me verifikimin e çdo thirrje shkencore, çdo thirrje akademike të profesorit në një universitet të caktuar. Përveç kësaj unë mendoj se ne duhet ta shtrijmë debatin për cilësinë në arsimin e lartë përtej asaj që po ndodh në Universitetin e Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, gjatë konferencës së Munihut për Sigurinë, që u zhvillua këto ditë, sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tërhoqi vemendjen për shkallën e lartë të korrupsionit në vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën. Vendi juaj ka ndërmarrë disa nisma, kam parasysh këtu nismën e presidentes për krijimin e një këshilli kombëtar për luftë kundër korrupsionit. Përse nuk ka pasur sukses?

Enver Hoxhaj: Unë mendoj se Kosova në krahasim me shumë vende të tjera të rajonit ka bërë në këto 6 vitet e fundit të pavarësisë një punë shumë të madhe sa i takon forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore, të cilat i përmendi edhe Sekretari i Shtetit në fjalimin e tij, republika e Kosovës, jo vetëm gjatë 6 viteve të fundit, por që nga qershori i vitit 1999, ka pasur instrumente jo vetëm vendore por ka pasur instrumente edhe ndërkombëtare, të cilat janë marrë me luftimin e fenomenit të korrupsionit. Drejtësia në Kosovë mes qershorit të vitit 99 deri në dhjetor të 2007-s ka qënë duart e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa këto 6 vitet e fundit ne kemi një mision të Bashkimit Evropian, që është përgjegjës për sundimin e ligjit, i cili për mendimin tim ….
Në se kemi parasysh vetëm lajmet e fundit, të cilat janë prezente në Prishtinë, dëshmojnë se nuk ka qeveri në rajon dhe nuk ka shtet në rajon më shumë se sa shteti i Kosovës i përkushtuar ndaj një fenomeni të tillë. Ne e dimë që nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, nuk mund të ketë integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian pa forcuar sundimin e ligjit dhe pa parandaluar fenomene të tilla si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kështu që përkundër indekseve ndërkombëtare, unë mendoj që kemi bërë një punë të mirë gjatë 6 viteve të fundit, por pa dyshim që duhet bërë edhe më shumë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, kohët e fundit ka pasur informacione për individë të caktuar nga Kosova që shkojnë për të luftuar përkrahë ekstremistëve në Siri. Qeveria juaj ndërmori dje një nismë ligjore për të ndëshkuar këta persona. Sa shqetsues është numri i këtyre pjesëmarrësve në luftën në Siri?

Enver Hoxhaj: Për ne si shtet i ri, pjesëmarrja qoftë edhe e një qytetari të vetëm paraqet pa dyshim një shqetësim shumë të madh. Këto dy vitet e fundit ne kemi ndjekur nga afër mënyrën e rekrutimit të disa njerzve dhe pjesëmarrjen e tyre në luftën e Sirisë. Mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë arsye politike dhe as morale që të përfshihen në aktivitete të tilla dhe miratimi i ligjit dje nga qeveria është hapi i parë vendimtar që të regullohet një çështje e tillë që në të ardhmen të parandalohen pjesëmarrje në fenomene të tilla, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë ndërkombëtare, por pa dyshim kanë të bëjnë në një formë të caktuar edhe me sigurinë e vetë shtetit të Kosovës. Unë mendoj që në një rrafsh afat-shkurtër nuk duhet të kemi ndonjë shqetësim serioz dhe numrat që janë përmendur në media se ka 150 qytetarë nga Kosova janë të pasakta. Ministria e Brendshme dhe agjencione të tjera të caktuara përgjegjëse në Kosovë flasin se në 2-3 vitet e fundit mund të ketë pasur një pjesëmarrje prej 80 vetëve nga Kosova në total. Aktualisht mund të ketë një numër shumë shumë më të vogël se sa raportohet në media ndërkombëtare, mirëpo në një plan afat gjatë pjesëmarrja e të rinjve nga Kosova në luftëra të tilla, të cilat janë të karakterit fetar e ideologjik, mund të paraqesë një kërcënim për shtetin e ri të Kosovës. Kështu që pas shumë debatesh që kemi pasur në qeverinë e Kosovës gjatë vitit të kaluar dhe pas një mbështetjeje dhe vendosmërie të kryeministrit mendoj që Kosova ka bërë hapin e parë dhe është model për shumë vende të rajonit që përmes një ligji ne do ta rregullojmë mos pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në aktivitete luftarake përtej Sirisë dhe një herë e përgjithmonë do të kemi një zgjidhje afat gjatë.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje më aktuale për partinë tuaj. Ju jeni njëri nga drejtuesit e Partisë Demokratike, ndërkohë që janë njoftuar dhe ka zëra për largimin e disa figurave të njohur, pra të partisë tuaj. A mendoni se koalicioni qeverisës është i kërcënuar?

Enver Hoxhaj: Unë mendoj se do të kemi stabilitet politik gjatë vitit 2014. Viti 2014 do të jetë një vit zgjedhor me mandat kushtetues për Republikën e Kosovës. Ka pas një komunikim nga ana e kryeministrit dhe kryetarit të partisë, zotit Thaçi me zotin Isa Mustafa dhe zotin Ramush Haradinaj dhe me lider të tjerë këto ditët e fundit. Edhe unë kam qënë pjesë e disa takimeve të tilla. Është në përfundim e sipër procesi i reformës zgjedhore. Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, që do ta ndryshojnë shumë sistemin në Kosovë, por do të ketë ndryshim të ligjit zgjedhor. Nuk ka dallime të mëdha mes partive politike sa i takon këtyre ndryshimeve, të cilat duhet të ndodhin në ligj dhe unë mendoj se në vjeshtë të vitit 2014 Republika e Kosovës do të ketë zgjedhje nacionale. Ajo që ne kemi qenë dhe jemi të përkushtuar është që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Zgjedhjet e fundit që u mbajtën në nivel lokal ishin mesazhi më i mirë që ka dërguar Republika e Kosovës, kështu që si partia më e madhe në vend ne jemi të bindur që do ta japim maksimumin që të ketë përgatitje të mirë, që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike dhe mbi të gjitha që qytetari ta thotë fjalën e tij. Në rafshin partiak dhe të partisë që unë i takoj, ka një besim të plotë dhe një shpresë të madhe që Partia Demokratike e Kosovës do ta fitojë mandatin e tretë falë punës që kemi bërë dhe falë lidershipit të kësaj partie.
XS
SM
MD
LG