Lidhje

Erdogani kritikon paditë kundër punonjësve turq të sigurisë


Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan e cilësoi "skandaloz" vendimin e një gjykate amerikane për të paditur 19 persona, mes tyre 15 punonjës turq të sigurisë. Ata akuzohen për sulm ndaj demonstruesve paqësorë gjatë vizitës së presidentit Erdogan në Uashington më 16 maj.

Duke folur për gazetarët në Stamboll të premten, zoti Erdogan e quajti aktakuzën "shprehje e qartë dhe skandaloze se si funksionon drejtësia në Amerikë". Ai shtoi se do ta diskutonte çështjen me Presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës së pritshme shtator në Nju Jork.

"Siç e dini ministri ynë i jashtëm thirri në një takim ambasadorin amerikan në Ankara dhe i përcolli paralajmërimet e nevojshme. Ky është skandal, është një shenjë skandaloze se si funksionon drejtësia në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Pamjet filmike të regjistruara tregojnë punonjësit turq të sigurisë duke shkelmuar e rrahur protestuesit jashtë rezidencës së ambasadorit turk në Uashington, pas një takimi mes dy presidentëve Erdogan dhe Trump.

Zoti Erdogan tha se oficerët e sigurisë, ndër të cilët kreu i operacioneve të sigurisë së presidentit turk, po e mbronin atë nga anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që Ankaraja e ka shpallur të jashtëligjshme. Kjo pasi, siç tha ai, policia amerikane dështoi ta bënte këtë.

Ministria e jashtme e Turqisë përsëriti kritikat e Ankarasë për "neglizhencën e rëndë" të autoriteteve të sigurisë amerikane të cilët siç u tha, nuk "garantuan sigurinë e delegacionit turk" dhe i përcollën reagimet e tyre ambasadorit amerikan në Ankara.

Në një deklaratë, sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson tha se akuzat kundër punonjësve të sigurisë së presidentit Erdogan dërguan një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara "nuk i tolerojnë individët që përdorin kërcënime dhe dhunë për të shtypur lirinë e fjalës dhe shprehjes së bindjeve politike bazuar në ligj".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG