Lidhje

Tensionet vazhdojnë pas takimit Edrogan-Trump


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po përpiqet ta paraqesë nën dritë pozitive takimin me homologun amerikan në Uashington, duke e quajtur atë një “ripërtëritje” të marrëdhënieve dypalëshe.

Por pas angazhimeve të përbashkëta për “të punuar së bashku në luftën kundër terrorizmit”, reagimet kanë qënë të ftohta në Turqi, ndërsa shihet hapur se takimi i cilësuar si tejet i rëndësishëm nuk arriti ndonjë përparim lidhur me tensionet e vazhdueshme mes dy palëve.

“Trump dhe Erdogan kërkojnë të forcojnë lidhjet”, është titulli i një shkrimi në gazetën pro presidentit Erdogan, Yeni Safak.

“Ishte një takim i rëndësishëm, por që të kualifikohet si vendimtar, duhet të ishin marrë disa vendime të rëndësishme afatgjata. Ky takim nuk ishte i tillë”, thotë hulumtuesi Sinan Ulgen me Institutin “Carnegie” në Bruksel. Ai thotë se “në shumë çështje që vazhdojnë t’i ndajnë të dyja vendet, nuk duket të ketë patur pika përputhjeje”.

Presidenti turk kishte premtuar se do të kërkonte të ndryshonte vendimin e Presidentit Trump për të armatosur luftëtarët kurd të Sirisë, YPG, në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik. Ankaraja i akuzon ata si organizatë terroriste të lidhur me Partinë Komuniste të Kurdistanit, PKK, e cila po lufton kundër shtetit turk. “Erdogani po shpresonte të përdorte aftësitë e tij bindëse kur u takua me zotin Trump”, thotë konsulenti politik Atilla Yasilada me “Global Source Partners”.

Por presidenti turk nuk pati shumë shanse për të bindur zotin Trump gjatë takimit që thuhet se zgjati 22 minuta. Takimi i dy udhëheqësve u pasua nga një drekë me zyrtarë nga të dy palët. “Fakti që takimi ishte kaq i shkurtër lë të kuptosh se ishte takim përgatitor ku shumë çështje të marrëdhënieve bilaterale nuk u diskutuan në thellësi”, theksoi analisti Ulgen.

Çështja Gulen

Thirrjet e zotit Erdogan për ekstradimin e klerikut islamik Fethullah Gulen, duket se nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim. Ankaraja fajëson Gulenin për organizim të përpjekjeve të dështuara për grusht shteti korrikun e shkuar. “Hapa të mundshëm” u diskutuan mbi këtë çështje, u shpreh përmes një deklerate këshilltari kryesor i zotit Erdogan. Ankaraja po ashtu thuhet se ka kërkuar ndalimin e Gulenit para ndonjë seance dëgjimore për ekstradim.

Dështimi për të bërë ndonjë përparim në çështje kyçe ku ka mosmarrëveshje u parashikua gjerësisht, por zgjidhja e mosmarrëveshjeve të tilla mund të mos ketë qënë qëllimi kryesor i vizitës së Edoganit.

“Rezultati i vetëm më i rëndësishëm nga perspektiva turke e vizitës ishte e qartë, për të fituar legjitimitet ndërkombëtar për rezultatin e referendumit dhe presidencën e zotit Erdogan”, thotë ish diplomati turk Aydin Selcen i cili ka shërbyer në Uashington dhe Irak.

“Padyshim, meqenëse Shtetet e Bashkuara janë fuqia e vetme globale, një fotografi nga Zyra Ovale ishte synimi i vetëm i vizitës së Erdoganit. Nga kjo perspektivë, vizita ishte sukses.”

Kurdët e Sirisë – status quo

Një muaj më parë zoti Erdogan fitoi me rezultat të ngushtë një referendum të debatueshëm që zgjeron pushtetin e tij. Akuzat për manipulime vazhdojnë të errësojnë rezultatin ndërsa zoti Trump ishte i vetmi aleatë perëndimor që e përgëzoi suksesin e Erdoganit.

Gjatë bisedimeve me homologun turk Presidenti Trump nuk ngriti shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe goditjeve që vazhdojnë ndaj kundërshtarëve politikë, pavarësisht se mbi 60 ligjvënës amerikanë kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi përkeqësimin e situatës.

Presidenti amerikan po ashtu shprehu mbështetje për luftën e Ankarasë kundër PKK. “Ata nuk do të kenë vend të sigurtë”, tha zoti Trump. “Vetëm fjalë dhe jo vepra. Kjo mbështejte ekzistonte qysh më parë”, thekson ish diplomati turk Selcen. “A i hap dritën jeshile Uashingtoni që Turqia të ndërmarrë sulme të ngjashme ushtarake me ato kundër kurdëve në Siri? Unë nuk mendoj kështu.”

Presidenti turk ka paralajmëruar se forcat e tij janë gati të ndërmarrin operacione ndërkufitare kundër rebelëve kurdë në Irak. Vetëm pak orës para takimit Trump-Erdogan, kryeministri turk Binali Yildirim bëri paralajmërim për inkursion ushtarak nëse Uashingtoni nuk trajton shqetësimet turke.

Forcat ushtarake turke janë të vendosura në kufinjtë me Sirinë dhe Irakun pranë pozicionit të kurdëve sirianë. Muajin e kaluar, forcat turke goditën objektivat kurde në Siri dhe Irak përballë kundërshtimit amerikan ndërsa një goditje ishte shumë pranë forcave speciale amerikane.

“Pres që kjo situatë të vazhdojë. Të njëjtat tensione do vazhdojnë”, parashikon ish diplomati Selcen, “por në të njëtën kohë do të vazhdojë edhe një lloj bashkëpunimi në lidhje me Sirinë dhe Irakun”.

Por dallime të tilla me Uashingtonin do të ndryshojnë nga pozicioni gjithnë e më i dobët i Ankarasë.

“Nga këndvështrimi i Erdoganit dhe Ankarasë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të një rëndësie kritike në një kohë kur marrëdhëniet e Turqisë me partnerët e tjerë perëndimorë kanë hyrë në një peridhë të vështirë. Ndaj, marrëdhëniet me Uashingtnin dhe nevoja për marrëdhënie të shëndosha me presidentin e ri amerikan tani janë më të rëndësishme se kurrë”, parashikon analisti Ulgen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG