Lidhje

Erdogan thotë se nuk pret sanksione nga Shtetet e Bashkuara


Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha të enjten se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione ndaj Turqisë për blerjen e planifikuar të një sistemi rus të mbrojtjes nga raketat, por se do të hakmerrej nëse kjo do të ndodhte.

Duke folur në një konferencë të rrallë për mediat e huaja në Stamboll, zoti Erdogan përsëriti se blerja e sistemeve ruse S-400 është një marrëveshje e përfunduar tashmë dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të mendohen mirë, para se të imponojnë sanksione ndaj Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.

"E them këtë shumë hapur dhe sinqerisht, unë do t’i cilësoja marrëdhëniet tona me Presidentin Donald Trump me të vërtetë të mira ... Në rast se ka një problem, ne komunikojmë menjëherë me telefon", - tha zoti Erdogan.

"Nuk shoh ndonjë mundësi që këto sanksione të realizohen", tha Erdogan. Por ai shtoi se Turqia nuk do të heshtë nëse ato do të imponoheshin. "Shtetet e Bashkuara duhet ta mendojnë këtë çështje me shumë kujdes. Ne do të kemi sanksione tona," - tha ai.

Presidenti turk tha se do të diskutonte për këtë çështje me Presidentin Trump në samitin e G-20-ës në Japoni në fund të muajit.

Turqia ka qenë në bisedime me Shtetet e Bashkuara për muaj me radhë për çështjen e blerjes së planifikuar nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes nga raketat, për të cilin Uashingtoni thotë se nuk përputhet me sistemin e mbrojtjes të NATO-s dhe mund të ndikojë blerja e avionëve të saj luftarakë F-35 - një tip avionësh që Turqia po ndihmon të ndërtohen dhe ka në plan t’i blejë.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara po kërcënojnë të vendosin sanksione ndaj Turqisë, nëse nuk heqin dorë nga plani për të blerë avionë rusë S-400, zoti Erdogan ka refuzuar të tërhiqet. Të enjten ai tha se dërgesat ka të ngjarë të fillojë brenda gjysmës së parë të korrikut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG