Lidhje

Bashkimi Evropian shënon 60 vjetorin


Bashkimi Evropian shënoi sot 60 vjetorin e themelimit me nënshkrimin e një traktati të ri në Romë, katër ditë para fillimit të procesit të daljes së Britanisë nga blloku.

27 vende u mblodhën për të nënshkruar një deklaratë të re, në të njëjtin vend ku gjashtë vendet themeluese nënshkruan Traktatin e Romës, duke krijuar Komunitetin Ekonomik Evropian në vitin 1957.

"Provojeni sot se jeni udhëheqësit e Evropës, që mund ta ruani këtë trashëgimi të madhe që na e përcollën heronjtë e integrimit evropian para 60 vjetësh”, tha Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk.

Megjithëse udhëheqësit e Bashkimit Evropian përsëritën përkushtimin e tyre ndaj organizatës për të ardhmen dhe deklaruan se “Evropa është e ardhmja jonë e përbashkët”, pasiguria për një të ardhme të Evropës pa Britaninë, ishte një nga shqetësimet kryesore në atmosferën e takimit.

Kryeministrja britanike, Theresa May nuk ishte e pranishme në bisedimet e sotme, dhe demonstruesit kundër Brexit-it ishin mes mijëra protestuesve të tjerë, si në favor ashtu edhe kundër BE-së, në Romë ku mbahej takimi.

Brenda takimit, një nga pikat e debateve për Deklaratën e Romës ishte propozimi për një angazhim për një Evropë “me shpejtësi të ndryshme”, që do t’u jepte mundësi vendeve anëtare që të miratojnë disa politika në afate të ndryshme.

"Ne do të veprojmë së bashku, me ritme të ndryshme kur është e mundur, por në të njëjtin drejtim”, thuhet në shtesën për politikat e BE-së në traktat, një koncept i propozuar nga Franca dhe Gjermania, por që ka hasur kundërshtimin e një numri vendesh europiano-lindore.

Kryeministrja polake, Beata Szydlo, e cila jo shumë kohë më parë debatoi me udhëheqësit e tjerë të BE-së lidhur me emërimin e paraardhësit të saj, Tusk si President i BE-së, ra dakord për nënshkrimin e traktatit vetëm në minutat e fundit të takimit, duke përmendur si arsye kundërshtimin për shtesën.

Edhe Greqia e vonoi miratimin e dokumentit, duke kërkuar përmbendjen e ndihmës sociale.

Siguria në Romë dhe veçanërisht në Pallatin e Konservatorëve ku u mbajt takimi, ishte veçanërisht e rreptë, pas sulmeve të kësaj jave në Londër.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG