Lidhje

Tetë presidentë të vendeve ballkanike në Shkup


Në Shkup u mbajt takimi i njohur si “Procesi Bërdo-Brioni” ku morën pjesë presidentët e tetë vendeve ballkanike. Në takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe kryeministri bullgar, vendi i të cilit është kryesues i radhës i Bashkimit Evropian.

Presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe të Sllovenisë, Kroacisë e Maqedonisë, tre të fundit në cilësinë e nikoqirëve, diskutuan proceset dhe nevojën e bërjes së reformave të domosdoshme në vendet e tyre që do t’i çonin ato drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk shpreson se historia e Ballkanit mund të ketë një përfundim të mirë.

Në një konferencë për media ku folën zoti Tusk dhe presidentët Borut Pahor i Sllovenisë, Kolinda Grabar Kitaroviç e Kroacisë, Gjorgje Ivanov i Maqedonisë dhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, u theksua se çështjet midis vendeve të Ballkanit perëndimor duhet të zgjidhen para se ato të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Donald Tusk tha se kishte ardhur në Ballkanin perëndimor me një mesazh të qartë nga drejtuesit e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian:

“Ne mbetemi të palëkundur në ofertën për të ardhmen evropiane për rajonin. Mund të llogaritni tek ne. Dhe këto nuk janë fjalë boshe. Këto janë fakte të fuqishme. Zhvillimet pozitive janë po ashtu të mundshme në Ballkanin perëndimor. Së fundmi, kemi parë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit midis Prishtinës dhe Podgoricës si dhe marrëveshjen për miqësi midis Shkupit dhe Sofjes. Ne na duhen më tepër zhvillime të këtilla”, tha Presidenti i Këshillit Evropian.

Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç. foli për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore, që sipas saj, janë thelbësore për procesin e zgjerimit.

“Kur është fjala për përparimin drejt Bashkimit Evropian, në emër të Kroacisë e përshëndes vendimin për rekomandimin e hapjes së bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe Kroacia nga ana e saj do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shpejtuar këtë proces në mënyrë që Maqedonia dhe Shqipëria të fillojnë sa më parë bisedimet për anëtarësim në BE”, tha ajo. Zonja Kitaroviç nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, të drejtat e njeriut e luftën kundër korrupsionit si të domosdoshme për përparimin drejt BE-së.

Kryeministri bullgar, Borisov tha se ngul këmbë që presidentët (Aleksandër) Vuçiç dhe (Hashim) Thaçi t’i zgjidhin të gjitha problemet midis Serbisë dhe Kosovës.

“Ata janë drejtues të fortë politik dhe të gjithë kemi ambicje të fuqishme në Ballkan dhe shpresojmë se nuk do të mund të na ndajnë dhe të ndalojnë të gjithë procesin në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai. “Nëse dy Koretë po gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjet në mes tyre, pse edhe ne të mos e bëjmë një gjë të tillë, tha Borisov.

Presidenti slloven Borut Pahor tha se Bashkimi Evropian pas shumë hamendjesh ka lëvizur nga pika “vendnumëro” sa i përket Ballkanit perëndimor.

Presidenti maqedonas Ivanov theksoi pritjet nga Bashkimi Evropian për të vazhduar me mbështetjen e projekteve për lidhshmërinë e transportit dhe energjisë për vendet pjesëmarrëse në proces. “Çështja tjetër e nevojshme është lidhshmëria në fushën e sigurisë”, theksoi ai, për të shtuar se: “Nëse Bashkimi Evropian nuk na e siguron të ardhmen, ne do të merremi me të kaluarën”, u shpreh Ivanov.

Procesi Bërdo-Brioni për herë të parë u mbajt më 2013 me nismën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Emri vjen nga qyteti Bërdo afër Kranjit në Slloveni ku u mbajt takimi i parë i drejtuesve të rajonit dhe Brioni një ishull në Kroaci, për nder të bashkë-organizatorit dhe partner i nismës, Kroacisë.

Qëllimi kryesor i nismës është integrimi evropian i vendeve të rajonit të Ballkanit dhe qëndrueshmëria e tij përmes bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG