Lidhje

Bashkimi Evropian drejt shtrirjes në Ballkan


Udhëheqësit e BE-së miratuan marrëveshjen që deri në janar Serbia të fillojë bisedimet e anëtarësimit; ata ranë po ashtu dakord që të fillojnë përgatitjet me Kosovën për MSA-në

Udhëheqësit e BE-së e larguan vemendjen nga problemet ekonomike të bllokut për të marrë vendime të shumë pritura lidhur me të ardhmen e vendeve të Ballkanit. Udhëheqësit në takimin dy ditor të Brukselit dhanë miratimin e tyre për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Serbinë dhe për marrëveshjen e asocim-stabilizimit me Kosovën.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian miratuan sot marrëveshjen që deri në janar Serbia të fillojë bisedimet për anëtarësim me BE-në, duke i dhënë fund kështu një transformimi të madh në perspektivat e ish Jugosllavisë që prej luftërave të viteve 1990-të.

Diplomatët e BE-së thanë se ky vendim u mor për të shpërblyer Beogradin për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë gjithashtu dakord që të fillojnë përgatitjet me Kosovën për marrëveshjen e asocim stabilizimit, hap ky drejt anëtarësimit eventual në BE, i cili shoqërohet me përfitime ekonomike.

“Ne jemi në një moment historik për Ballkanin dhe gjithë Evropën”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, duke vënë në dukje se vendimet për Kosovën dhe Serbinë u morën ndërkohë që Kroacia po bëhet anëtare e BE-së.

“Këto vendime janë rezultat i menjëhershëm i marrëveshjes së guximshme që Beogradi dhe Prishtina arritën në muajin prill”, shtoi zoti Van Rompuy, i cili të hënën do të shkojë në të dy kryeqytetet.

Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk është zbatuar ende plotësisht, prandaj qeveritë e vendeve anëtare të BE-së do të vlerësojnë përparimin e bërë para se të japin nga fundi i këtij viti miratimin përfundimtar për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Serbisë në BE.

“Takimi i parë për anëtarësimin e Serbisë në BE mund të zhvillohet në janar të vitit të ardhshëm me kusht që marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet sipas planit. Vendimet që tashmë janë marrë duhet të miratohen përfundimisht nga Këshilli i Evropës në dhjetor; ne do të diskutojmë edhe një herë lidhur me Serbinë në mënyrë që të konfirmojmë përparimin e bërë dhe të mbështesim kornizën e bisedimeve të anëtarësimit”.

Kryeministri britanik, David Cameron tha se vendimet e sotme do të sjellin përfitime për bllokun evropian në shumë mënyra.

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është i tillë që i ka ndihmuar vendet të bëjnë përparim të madh në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i sistemeve të ekonomive të tregut dhe aspekte të tjera. Kjo ka qënë një politikë zhvillimi e efektshme dhe mendoj se do të vazhdojë të jetë e tillë për vende të tjera, që janë anëtarësuar së fundmi si dhe për Serbinë dhe vende të tjera në të ardhmen. Mendoj se ne të gjithë përfitojmë për sa i përket tregtisë dhe stabilitetit”.

Presidentët dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare mirëpritën Kroacinë si vendin e 28 anëtar të BE-së, që hyn në fuqi të hënën më 1 korrik.

Në deklaratën e tij me këtë rast, zoti Van Rompuy mirëpriti kryeministrin kroat, Zoran Milanovic, i cili tha se qeveria e tij është gati të ndihmojë vendet e tjera të ish Jugosllavisë të anëtarësohen në Bashkim.
XS
SM
MD
LG