Lidhje

Emigracioni i paligjshëm drejt BE-së


Grupet që përfaqësojnë interesat e refugjatëve thonë se mijëra jetë rrezikohen pasi Italia i dha fund ditën e shtunë misionit të saj të kërkimit dhe shpëtimit në Mesdhe. I emërtuar “Mare Nostrum”, misioni ka shpëtuar qindra mijëra emigrantë gjatë vitit të kaluar, të cilët ishin nisur me mjete lundruese primitive nga brigjet e Afrikës veriore drejt atyre evropiane. Bashkimi Evropian ka marrë përsipër tashmë këtë operacion, por kritikët thonë se ai është i përmasave shumë më të vogla dhe jo i mirëfinancuar.

Italia e filloi operacionin e saj “Mare Nostrum” një vit më parë, pasi 500 emigrantë humbën jetën në afërsi të ishullit Lampedusa në tetor 2013, duke e detyruar qeverinë të veprojë.

Roja bregdetare italiane dhe mjete lundruese të marinës, të mbështetur nga avionë, shpëtuan rreth 150 mijë persona në vetëm një vit. Kostoja ishte 11.9 milionë dollarë në muaj.

Operacioni përfundoi më 1 nëntor. Ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano u shpreh se Roma nuk mundej ta financonte më.

“Shifrat e vdekjeve nuk i korrespondojnë shumës së eurove të shpenzuara. Kemi kryer një mision për të cilin jemi krenarë, ndërkohë që filloi vetëm si një mision për një periudhë të kufizuar kohore. Zona e mbuluar prej këtij misioni u shtri pothuajse deri në bregdetin afrikano-verior.”

Italia është ankuar prej kohësh se vendet partnere evropiane kanë ofruar ndihmë shumë të vogël për të përballuar prurjet. Më shumë se 2500 emigrantë kanë vdekur në 12 muajt e fundit duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun.

Agjencia kufitare e Bashkimit Evropian, Frontex, po e merr përsipër misionin e shpëtimit me emrin e ri Triton. Ajo ka realisht vetëm një të tretën e burimeve dhe mbulon vetëm zonën deri në 50 kilometra larg brigjeve të Evropës.

Grupet në mbështetje të refugjatëve dhe emigrantëve e kanë kritikuar së tepërmi vendimin për t’i dhënë fund misionit të shpëtimit në Mesdhe.

Gunter Burkhardt është nga grupi Pro-Asyl në Gjermani.

“Do të ketë më shumë të vdekur në det të hapur. Ministrat e jashtëm e kuptojnë domosdoshmërinë e të ofruarit më shumë ndihma, por ministrat e brendshëm të Evropës bëjnë gjithçka munden për të mbyllur kufijtë ndaj refugjatëve, në veçanti atyre nga Siria.”

Zyrtarët e BE-së thonë se vendet anëtare kanë qenë të ngadalta në ofrimin e fondeve, personelit dhe paisjeve.

“Shtetet anëtare të vetme, nuk ja dalin dot mbanë. Frontex-i vetëm, nuk ja del dot. Kështu që na duhet të bashkëpunojmë dhe të përpiqemi t’i japim fund kësaj drame të tmerrshme”, thotë Rafael Fernandez-Pita, drejtor i përgjithshëm në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Britania e mbështeti dhënien fund të misionit të shpëtimit nga Italia, duke u shprehur se pati inkurajuar më shumë emigrantë të provojnë kalimin e rrezikshëm të detit. Për misionin e ri të BE-së, Britania ka ofruar vetëm një zyrtar ndërlidhës për emigracionin.

Evropa mendon se më shumë duhet bërë për të goditur trafikantët që organizojnë këto kalime të rrezikshme, të cilët fitojnë 1500 deri në 3500 dollarë për çdo emigrant.

Ndër personat që përpiqen të kalojnë detin ka dhjetëra mijëra sirianë që po i largohen luftës civile, së bashku me irakianë, afganë, eritreas dhe emigrantë ekonomikë nga mbarë Afrika.

Gjatë një ceremonie festive për Ditën e Gjithë Shenjtorëve të mbajtur ditën e shtunë në Romë, Papa Françesku kritikoi reagimin global ndaj personave që i largohen luftës dhe urisë.

“Duket sikur këta fëmijë të uritur, këta fëmijë të sëmurë, nuk kanë rëndësi. Duket sikur i përkasin një tjetër specieje, sikur nuk janë qenie njerëzore.”

Grupet në mbështetje të refugjatëve thonë se emigrantët që i largohen luftës dhe varfërisë nuk do të zmbrapsen nga vendimi për t’i dhënë fund operacionit Mare Nostrum, dhe se varkat do të vazhdojnë të vijnë.

XS
SM
MD
LG