Lidhje

Hahn kërkon heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe


Komisionari i Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që të zhbllokojnë bashkëpunimin dhe tregtinë rajonale ndërsa shprehu nevojën për t’iu kthyer dialogut për qëndrueshmërinë e gjithë rajonit.

Hahn kërkon heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Zoti Hahn arriti në Prishtinë pasdite për të diskutuar situatën e krijuar në mes të Kosovës dhe Serbisë pas vendosjes së tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe protestat e serbëve në veriun e Kosovës.

Ai tha në një konferencë me gazetarë se Bashkimi Evropian ka qenë i befasuar dhe i zhgënjyer pas vendosjes së tarifave ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur janë vendosur tarifat së pari dhjetë për qind dhe pastaj 100 për qind dhe kjo nuk është diçka që mund dhe duhet të qëndrojë për të bërë përparim në fushën e tregtisë së lirë. Jam në dijeni dhe të gjithë në Komisionin Evropian jemi në dijeni për vështirësitë aktuale të tregtisë për Kosovën. Kam propozuar në të gjitha takimet që palët të përqendrohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje”,tha komisionari Hahn duke nënvizuar se e kupton plotësisht gjendjen dhe reagimet e qytetarëve në Kosovë, por sipas tij duhet pasur parasysh edhe pasojat afatgjate.

“Ka të bëj me tregun, se si do të përgjigjet tregu me këto tarifa dhe siç e thashë më herët, ne të gjithë kemi për synim ardhmërinë evropiane për të gjitha vendet e rajonit dhe një prej elementeve është që të mos kemi taksa doganore dhe tarifa, për të pasur një treg të vetëm dhe ka të bëjë me përgatitjen e vendeve për këtë treg. Nëse një vend tash vendosë tarifa është në një farë mënyre në kundërthënie me vetveten sa i përket ardhmërisë evropiane”,tha ai.

Komisionari Hahn tha se u ka ofruar edhe Kosovës edhe Serbisë gatishmërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve në tregti.

“Tani varet nga palët që të përgjigjen në ofertën tonë dhe të gjejnë përgjigjet e duhura për situatën e tanishme e cila mendoj se duhet të zgjidhet duke pasur parasysh interesin e të gjithëve në rajon e gjithashtu në interesin e shqiptarëve të Kosovës”,tha ai.

Më 21 nëntor, qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, në shenjë kundërvënieje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas takimit me komisionarin Hahn se tarifat ndaj Serbisë do të mbeten në fuqi dhe duhet të jene pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne do të respektojmë vendimin e marr nga qeveria dhe ky vendim sikurse e dini, mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ndoshta duket shumë larg kjo, por ne duhet të punojmë që tani që të shkruajmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me gjithë kapitujt tjerë, borxhet, zhdukurit, të drejtat e komunitetit serb në Kosovë e plot tema tjera e njëra nga këto do të jetë edhe tregtia e lirë mes Kosovës e Serbisë”, tha ai.

Zoti Hahn mbërriti në Prishtinë, pas takimit në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Të dy bën thirrje që të hiqen tarifat që sipas presidentit serb mund ta destabilizojnë rajonin.

Beogradi e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e kësaj tarife. Ndërsa, përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore të Kosovës u hodhën në protesta dhe shkëputën çdo komunikim me Prishtinën. Kryetarët e atyre komunave dhanë dorëheqje.

Thirrje për heqjen e tarifave kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara përmes sekretarit të shtetit Mike Pompeo, i cili kërkoi nga Kosova të punojë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Bashkimi Evropian, para se të vendoste ta dërgonte komisionarin Hahn në rajon, tha se tarifat “vetëm sa e ndërlikojnë më tej situatën dhe nuk ndihmojnë ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Edhe qeveria gjermane ka bërë thirrje për heqjen e tarifave dhe që Kosova e Serbia të shmangin përshkallëzimin e tensioneve midis tyre dhe t'u rikthehen bisedimeve.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, nëntë vjet pasi që forcat e NATO-s ndërhynë për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG