Lidhje

Tusk: BE duhet të përmirësojë situatën në Ballkanin Perëndimor


Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shkroi të mërkurën në rrjetin social twitter se "Bashkimi Evropian duhet të bëjë gjithçka për të përmirësuar situatën në Ballkanin Perëndimor”.

Komenti i tij pasoi takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë ditës u prit edhe nga presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Hashim Thaci, Antonio Tajani
Hashim Thaci, Antonio Tajani

Të enjten ai do të pritet nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Në një njoftim të zyrës aë presidentit Thaçi thuhet se ai i njoftoi mikpritësit e tij me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe theksoi nevojën për angazhim strategjik të BE-së në Kosovë dhe në Ballkan Perëndimor.

“Jemi të përkushtuar për të ardhmen tonë evropiane dhe kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga nënshkrimi Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, mirëpo procesi i integrimit të Kosovës në BE duhet të përshpejtohet me veprime konkrete, sepse vonesat vetëm sa e dëmtojnë kredibilitetin e BE-së dhe e zbehin përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për këtë proces”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi, duke nënvizuar se "është qenësore për Kosovën, për tërë rajonin, që Bashkimi Evropian të mbetet i angazhuar në Ballkanin Perëndimor dhe ky angazhim të jetë politik dhe gjeostrategjik”.

Takimet e presidentit Thaçi me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pasuan dy takime me radhë të udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në përpjekje për të ulur tensionet e larta ndërmjet të dyja palëve.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur nëntë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ajo ka hapur negociatat pë anëtarësim, ku çështje kryesore mbeten marrëdhëniet me Kosovën, e cila ndërkaq ka arritur Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian në shkëmbim të angazhimit në bisedime, por mbetet e fundit në rajon në proceset integruese.

XS
SM
MD
LG